Arbëri

Ministria e Inovacionit anulon thirrjen për mbështetjen e ndërmarrjeve me 4 mln € të bërë para zgjedhjeve

Në prag të fushatës zgjedhore, Ministria e Inovacionit kishte planifikuar ndarjen e 4 milionëve si grante për ndërmarrjet e vendit.

E gati tre muaj më vonë, Ministria, që nuk pritet të mbijetojë në rast formimi të qeverisë së re, e ka anuluar thirrjen, raporton KTV.

Kjo ministri ka dhënë dy arsyetime për anulim: moskompletimi me anëtarë i Komisionit vlerësues dhe pamundësia që të zotohen, shpenzohen dhe certifikohen shpenzimet për aplikuesit, brenda këtij viti.

“Ministria e ka anuluar thirrjen publike për financimin e NMVM, të shpallur më 18.09.2019, në fushën e Inovacionit dhe ndërmarrësisë, për shkak të moskompletimit të Komisionit vlerësues, si pasojë e dërgimit me vonesë të propozimit të përfaqësuesit nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, për anëtarë në Komisionin vlerësues, si dhe për shkak të pamundësisë ligjore që të zotohen, shpenzohen dhe certifikohen shpenzimet/pagesat për aplikantët, brenda vitit fiskal 2019. Moskompletimi i Komisionit vlerësues, ka pamundësuar vlerësimin e aplikacioneve dhe, si rrjedhojë, janë tejkaluar afatet ligjore dhe financiare për zotim, shpenzim dhe certifikim të pagesave”, ka thënë Divizioni për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Ministria, që nga themelimi ishte udhëhequr nga Besim Beqaj i PDK-së, i cili dha dorëheqje, i pasuar më pas nga Myzafer Shala, ka qenë më shumë pjesë e kronikave për punësime partiake e familjare, avancime të kundërligjshme, e huqje me subvencione.

Derisa ende nuk kanë një marrëveshje për bashkëqeverisje, dy partitë, LDK e Vetëvendosje, janë pajtuar që numri i ministrive të jetë 12.

Ligji për Qeverinë, sipas Rreze Hoxhës, hulumtuese në GSJP, është bërë i nevojshëm edhe pas abuzimit me numrin e ministrive e zëvendësministrave nga qeveria në largim.

Ligji për qeverinë, pavarësisht zotimeve nga qeveria tashmë në largim, nuk arriti të dërgohet asnjëherë në Kuvend për miratim.

Shtimi i numrit të ministrive dhe pozitave si koordinatorë, si dhe numri i madh i zëvendësministrave, kanë qenë ndër temat që në vazhdimësi kanë përcjellë qeverinë Haradinaj II.