Arbëri

Nis seanca gjyqësore për “Veteranët”

Ka nisur seanca gjyqësore në rastin e "Veteranëve".

Në seancën e sotme dëshminë e tyre do ta japin S.B dhe ish-kryetari i komunës së Skenderajt S.L për të cilin një ditë me parë lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim pasi ai nuk ishte paraqitur në seancë.

Para se të nisë dëshminë S.L, dëshmitari S.B ka kërkuar nga gjykata siguri personale për shkak të, siç ka thënë ai, është kërcënuar nga një person me emrin Sokol Poga.

Gjykata ka kërkuar nga mediat mos t’u zbulohet identiteti i dëshmitarëve por t’u referohen me iniciale.

S.L ka nisur dhënien e dëshmisë së tij por që kryetarja e trupit gjykues ka thënë se mbetet në fuqi vendimi i saj i datës 4 dhjetor 2019 që të ndalojë publikimin e dëshmive të dëshmitarëve në media deri në përfundim të procesit të të provuarit, raporton KTV.

LEXO EDHE: Lëshohet urdhër që për rastin e “Veteranëve” Lushtaku të sillet me detyrim në Gjykatë

Nushe Mekaj këtë vendim e kishte arsyetuar që të mos dëmtohet procesi gjyqësor në këtë rast, ashtu që, dëshmitarët të mos jenë në gjendje të lexojnë dëshminë e njëri-tjetrit dhe në këtë mënyrë edhe të koordinojnë dëshmitë.

Po ashtu, gjykata kishte vendosur që edhe dëshmitarëve të mos u zbulohet identiteti nga mediat, por t’u referohen me iniciale pasi ata nuk janë dëshmitarë të mbrojtur edhe pse vet gjykatësja e kishte pranuar se të njëjtit nuk janë dëshmitarë të mbrojtur. 

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Uck.