Arbëri

Abazi thotë se inspektorët në terren çdo ditë marrin kërcënime

Bujar Abazi inspektor në Komunën e Prishtinës ka thënë se sot kanë protestuar dhe e kanë bojkotuar për dy orë punën në shenjë pakënaqësie për vrasjen e një inspektori javën e kaluar.

Sipas tij, ky bojkot ka qenë edhe për të shprehur shqetësimin për gjendjen me të cilën po përballen çdo ditë në terren.

Ai ka thënë se nuk ka ditë që nuk kalon pa pasur ndonjë kërcënim për inspektorët.

Abazi në Express Intervista thotë se inspektorati komunal kanë numër të kufizuar të inspektorëve të terrenit.

“Ne ndonjëherë nuk po mund të arrijmë të vijmë deri tek përmbushja e obligimeve tona. Mund të ketë ankesa nga qytetarët. Meqenëse unë nuk jam në sektorin e ndërtimin mund të mos jem kompetent të flas për këtë punë, por kolegët e mi mjaftueshëm punojnë në terren. Por me 6-7 inspektor të ndërtimit në terren është pak e vështirë të mbulohet”, ka thënë ai.

Ai thotë se i gjithë stafi i inspeksionit shkon deri në 40 inspektorë.

Abazi thotë se në rendin komunal ku ai bënë pjesë, mbulojnë fushat e sanitarisë, rrugëve, trotuareve etj.

“Wshtë e paraparë prej qeverisë që numri i përgjithshëm i punëtoreve të komunës të jetë varësisht nga numri i banorëve. Në pjesën e numrit të punëtorëve të inspektoratit për momentin është një numër i kufizuar por besoj që me ligjin për kryeqytetin do të shtohet”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ankesat më të shpeshta vijnë për mirëmbajtjen e hapësirave.

Sipas tij, edhe pse janë në numër pak, ata arrijnë që t’i mbulojnë shumicën e ankesave të qytetarëve.

“Inspektorati i Prishtinës javën që shkoi ka ndërmarrë një aksion për lirimin e një hapësire të cilën qytetarë të pandërgjegjshëm e kanë izoluar. Besoj që në pjesën e tarracave dhe hapësirave publike që shfrytëzohen nga restorantet janë të pajisura me leje përkatëse”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se me Policinë kanë kontakte dhe bashkëpunim shumë të mirë.

Duke folur për Policinë komunale, ai thotë se kjo ka mbetur peng i disa udhëzimeve administrative nga Ministria e Punëve të brendshme.

“Ne shfrytëzojmë rastin që të kërkojmë nga MPB që sa më shpejtë të bëjë udhëzimet e nevojshme administrative e të bëhet policia komunale”, thotë ai.

Abazi ka thënë se me një ligj të inspektoratit ku definohen kompetencat e nivelit lokal dhe qendror mund të bëhet një lloj bashkëpunimi më i madh në nivelin qendror dhe lokal.