Arbëri

Kërkohet më shumë kujdes në menaxhimin e mbeturinave të qelqit

Menaxhimi i mbeturinave në nivel lokal është një prej sfidave më të mëdha kur bie fjala në mbrojtjen e mjedisit në Kosovë

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjensioni për Mbrojtje të Mjedisit në Kosovë nga totali i përgjithshëm i mbledhur në vit, rreth 506 000 tonë mbeturinave në të gjithë Kosovën, rreth 5% janë të kategorizuara si mbeturina të qelqit.

Kështu thuhet në një njoftim për media të Green Art Center, në të cilën thuhet vetëm nga bizneset, në treg shpërndahen rreth 25 000 ton shishe qelqi në vit.

“Në nivel global, shumica e mbeturinave aktualisht hidhen ose depozitohen në formë të deponisë ku vijohet me trajtimet përkatëse. Menaxhimi adekuat dhe trajtimi i mbeturinave ndihmon në reduktimin e problemeve mjedisore si dhe problemeve tjera që janë të lidhura direkt me ekosistemin. Po ashtu në mënyrë direkte, trajtimi dhe përpunimi i mbeturinave zvogëlon sasinë e mbeturinave që shkojnë në deponi dhe jep përparësi zhvillimit të sektorit të riciklimit dhe krijimin e vendeve të punës në këtë sektor të gjelbër”, thuhet në njoftimin për media të kësaj organizate. “Përkundër faktit që qelqi është produkt i cili është 100% i riciklueshëm dhe mund të riciklohet në vazhdimësi dhe vetëm me riciklim të sasisë prej një ton qelqi reduktohet lirimi i 760kg i CO2, duke ndikuar direkt në zvogëlimin e emetuesve të gazit si dhe zbutjen e efektit serrë, momentalisht në Kosovë akoma nuk ka vullnet institucional në krijimin e politikave që përkrahin riciklimin e qelqit”, thuhet më tej aty.

Kësisoj, sipas njoftimit, janë disa iniciativa të pakta në shkolla dhe institucione si dhe aktivitete të OJQ-ve dhe bizneseve lokale të vogla, megjithatë nuk ka diçka konkrete sa i përket sistemit të kthimit apo riciklimit të qelqit si material.

Sipas drejtoreshës ekzekutive të organizatës GAC në Kosovë, theksohet se është me rëndësi që të ndërmerren hapa adekuatë nga institucionet shtetërore lidhur me ndërtimin e sistemit të mirëfilltë të menaxhimit të mbeturinave e veç kësaj përkrahjen në zhvillimin e infrastrukturës që do të adresojë përpunimin e mbeturinave duke përfshirë këtu të gjitha materialet e riciklueshme dhe me vlerë ekonomike në treg.

Ndër të tjerash lidhur me trajtimin e shisheve të qelqit me qëllim parandalimin e deponimit të tyre, Beu Muçaj tregon se kjo industri momentalisht nuk është e zhvilluar pasi që kostoja e trajtimit apo eksportit të qelqit është e madhe duke mos e bërë të kërkuar për sektorin privat grumbullimin e shisheve të qelqit. Sipas saj, ka biznese të vogla që merren me grimcimin e shisheve të qelqit për të prodhuar material për përdorime të ndryshme, duke përmendur një kompani të sapokrijuar në Gjakovë, por që ky sektor ka nevojë për përkrahje dhe subvencionim pasi që është i kushtueshëm. Ndër të tjera, ajo thekson rëndësinë e nisjes së skemës së kthimit të depozitave me qëllim stimulimin për riciklim dhe kthimin e materialeve që munden të ripërdoren sipas kritereve prej prodhuesve, praktikë kjo e cila implementohet në shtetet e zhvilluara ku vendoset taksë për ambalazhin dhe ku konsumatori do të ketë qasje të rikthejë mbeturinat e riciklueshme duke marrë incentivën për sasinë e mbetjeve të riciklueshme që kthen.

“Përkundër faktit që objektivat e përcaktuara në legjislacionin Evropian kanë qenë nxitësit kryesorë për të përmirësuar menaxhimin e mbeturinave, stimulimin e inovacionit në riciklimin, kufizimin e përdorimit të deponimit dhe krijimin e stimujve për të ndryshuar sjelljen e konsumatorit, tregu Kosovar në këtë industri është akoma i pazhvilluar shkaku i mungesës së politikave dhe investimeve në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.

Duke parë situatën mjedisore në Kosovë, ndotja e mjedisit e shkaktuar nga menaxhimi jo i duhur i mbeturinave në nivel lokal është një prej sfidave më të mëdha kur bie fjala në mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.