Arbëri

Kosova e akuzon Serbinë për kolonat në Merdar

Është bërë rreth një vit prejse kanë përfunduar punimet për ndërtimin e këtyre sporteleve në pikën kufitare në Merdar. Por, pala serbe vazhdon të mos pranojë të kalojë në pjesën e re, derisa punon me vetëm një sportel.

Kjo pikë kufitare u rindërtua me donacion të BE-së, sipas standardeve evropiane, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira të kalimit dhe kontrollit kufitar, raporton KTV.

E mosreagimi i Bashkimit Evropian për këtë, ka habitur zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, të cilët edhe thonë se e gjithë tollovia shkaktohet nga pala e shtetit serb.

“Që në fillim, dua t’u kërkoj falje qytetarëve tanë që po vijnë nga diaspora për pushime në Kosovë dhe po përballen me pritje të gjata në kufi. Në Merdar, këto pritje po i shkakton pala serbe, pa ndonjë arsye të veçantë. Kemi pritje të gjata, gjë që është maltretim për qytetarët e Kosovës që vijnë në pushime në atdhe. Është tepër e çuditshme që tërë këtë tollovi e shkakton pala serbe dhe nuk kemi ndonjë reagim nga BE-ja për neglizhencën dhe mosfunksionimin edhe të disa sporteleve tjera që i ka Serbia në pjesën e saj në Merdar e s’i përdor. Nga ana jonë është çështje minutash, kur mërgimtarët tanë hynë në Kosovë. Kapacitetet tona në kufi janë të bollshme dhe nuk ka kurrfarë problemi”, ka thënë Izmi Zeka, zëvendësministër në largim i MPB-së.

Derisa edhe Policia e Kosovës ka fajësuar Serbinë për pritjet e gjata, ajo apeloi te qytetarët që të përdoren edhe pika të tjera kufitare.

“Sipas raportimeve qe kemi, në dalje te pikave kufitare, pra për të dalë nga Republika e Kosovës për në Serbi, nuk ka pritje të mëdha përveç derisa të përfundohen procedurat e nevojshme për kontroll (rreth 10 minuta, përderisa për të hyrë nga Serbia në RKS, si shkak i procedurave të aplikuara nga ana tjetër, pra nga pala serbe, janë regjistruar pritje dhe kolona të gjata. Referuar fluksit të koncentruar në pikëkalimin kufitar në Merdar, pritjeve dhe kolonave të gjata, posaçërisht gjatë festave, Policia e Kosovës ka kërkuar edhe në të kaluarën edhe tani, inkurajon të gjithë qytetarët që të përdorin edhe alternativa të tjera, respektivisht pika tjera kufitare ku ka më pak pritje, sepse pika në Merdar nuk është e vetmja alternativë”, ka thënë Daut Hoxha, zëdhënës i PK-së.

Pavarësisht apeleve nga Policia e Kosovës që të shmanget pika kufitare në Merdar, kjo pikë vazhdon të jetë më e ngarkuara nga bashkatdhetarët. Të dielën, atyre u është dashur të presin deri në shtatë orë për të hyrë në Kosovë.

Të lodhur nga pritjet, por të lumtur që vijnë në Kosovë, janë shprehur qytetarët.

Pritje deri në rreth dy orë gjatë së dielës, ka pasur pritje edhe në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, Mutivodë e Jarinje, pika këto që lidhin Kosovën me Serbinë.