Arbëri

Merovci jep arsyet pse LDK-ja duhet ta ketë pozitën e presidentit

Foto: Koha

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Adnan Merovci ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje duhet të jetë e vetëdijshme se t’i fitosh zgjedhjet nuk e bën medoemos atë parti të privilegjuar në përzgjedhjen cilësore dhe sasiore të “hiseve” qeverisëse, ndërsa thotë se VV-ja dhe LDK-ja bashkë do ta ndihmonin njëra tjetrën sepse dështimi parcial i njërës e prekë tjetrën.

Përmes një shkrimi në Facebook, Merovci thotë se programet qeverisëse të VV-së dhe LDK-së janë harmonizuar në plotni.

“Ndarja e ministrive është definuar. Kryeministri VV-së dhe kryekuvendari LDK-së po ashtu është punë e kryer”, ka thënë ai.

Sipas tij, deri këtu si nga sasia si nga cilësia ndarjet janë bërë në bazë të mirëbesimit dhe partneritetit. Megjithatë, thotë se LDK-ja është mangu nga kompetencat qeverisëse edhe pse në shikim të parë duket se janë të barabarta.

“Pozita e Presidentit dhe atribuimi i së drejtës për ta propozuar LDK-ja kur t’i vijë koha është më se legjitime dhe këtu duhet VV-ja të reflektojë 100 %”, ka shkruar ai në Facebook.

Komenti i plotë:

VV dhe LDK: 1+1 = 3!

Jeta dhe aktiviteti në politikë është fluid si organizëm i gjallë, lëvizë, ndryshon dhe metamorfon. Kjo dmth se asgjë nuk duhet t’i habis akterët politik ashtuqë ata të ndodhen në befasi ose në papërgatitje. Megjithatë në rrethanat aktuale në Kosovë gjërat u zhvilluan vrullshëm! Ndoshta më mirë është të thuhet ndodhi ndryshimi që në publik po kuptohet si: fitoi VV dhe LDK. Këtë e tha dhe e bëri elektorati.

Por ndryshimi tjetër i nevojshëm duhet tani të ndodhë nga VV dhe LDK, që i bie se duhet ndryshuar praktikat e deritashme të botëkuptimeve për koalicionet qeverisëse. Shteti është kuptim abstrakt pa pushtetin. Shteti është emër, pushteti është kallxues! Shteti është qëllimi, pushteti është veprimi! Për tu realizuar shteti ai duhet të pushtetohet, por duhet pushtet i mirë, i duhur, i nevojshëm, i efektshëm, pushtet i përdorur, jo i keqpërdorur!

Tani shteti quhet Kosova, pushteti po pretendohet të quhet VV me LDK-në. Shteti është si shkom me tri këmbë, që janë: Legjislativi (Kuvendi), Ekzekutivi (Qeveria) dhe Gjyqësori (Prokuroria dhe Gjykatat). Ekziston edhe një këmbë e shtetit që është e pa evitueshme që quhet: Media. Të tri këmbët e shtetit (Kuvendi, Qeveria dhe Gjyqësori) derivojnë nga sovrani përmes zgjedhjeve. Zgjedhjet prodhojnë rezultat që iu atribohen 4 subjekteve politike garuese (Parti, Koalicion, Iniciativë Qytetare dhe Kandidatët të Pavarur). Subjekti fitues në zgjedhje është ai që ka fituar më së shumti vota. Fituesi është i obliguar-detyruar kushtetutshmërisht dhe ligjshmërishtë të themelojë institucionet si: Kuvendin dhe Qeverinë.

Të gjitha subjektet tjera që kanë garuar në zgjedhje dhe kanë kaluar pragun zgjedhor, politikisht dhe shtetndërtësisht kanë obligim t’i përgjigjen thirrjeve të fituesit për koalicione eventuale. Pra subjektet jo fituese janë në pritje! Në momentin e parë të thirrjes nga subjekti që ka fituar zgjedhjet ato fillojnë bisedat, negociatat dhe në fund merren ose nuk merren vesh për të qenë në pushtet së bashku.

Fituesi i zgjedhjeve ka barrën, lavdatën dhe mallkimin e dështimit apo suksesit të koalici onit qeverisës sepse ai negocon, ajo lëshon pe, ai merr e jep copëza pushteti për të tjerët etj, etj. T’i kthehemi tani aktualitetit. Meqenëse subjekti fitues (VV) ka paralajmëruar para zgjedhjeve “vija të kuqe” (PAN-i), atëherë kjo e sfidon atë që pas zgjedhjeve të komunikoi me subjektet me “vija të gjelbërta” që është tani i ka mbetur vetëm LDK-ja duke mos i përjashtuar minoritetet jo serb. Ky realitet është sfidues për VV-në sepse LDK-ja edhepse e dyta në rezultate dhe vetëm një deputet më pak se fituesi, është në pozitë më “komode” sepse nuk ka në qafë detyrimin e themelimit të institucioneve.

Përparësi e VV-së është kualiteti politik dhe shtetndërtues tradicional i LDK-së sepse për partner ka një subjekt serioz dhe të përcaktuar për shtetndërtim karshi VV-së pa përvojë qeverisëse. LDK-ja në asnjë moment nuk guxon të abuzojë me këtë përparësi që e ka karshi fituesit (VV-së). Thënë ndryshe VV-ja duhet të jetë e vetëdijshme se t’i fitosh zgjedhjet jo domosdoshmërisht je e privilegjuar në përzgjedhjen cilësore dhe sasiore të “hiseve” qeverisëse. Bile sa më pak “hisedarë” aq më vështirë arrihet “razia qeverisëse”.

Duke qenë kështu atëherë shpëtimi qëndron në aplikimin e standardeve dhe parimeve demokratike që në këtë rast do të thotë: mirëbesim dhe partneritet e jo keqbesim dhe rivalitet! Por të respektosh parimet nuk dmth mos ti thyesh ato kur duhet sepse kështu ato vetëm i forcon! VV-ja dhe LDK-ja me vlerat komplementuese që i kanë, një plus njëshin e bëjnë baraz me tre (1+1=3), që dmth e jetësojnë sinergjinë qeverisëse të munguar deri më tani.

VV-ja dhe LDK-ja bashkë do ta ndihmonin njëra tjetrën sepse dështimi parcial i njërës e prekë tjetrën, pra nuk qeveriset për t’i ikur përgjegjësive por për të marrë përgjegjësi që në anglisht thuhet: “to make things happen” (për t’i bërë gjërat të ndodhshme). Asnjëherë si kësaj radhe qytetarët nuk kanë qenë më në ankth të pritjes së një qeverisjeje ndryshe, një qeverisjeje që na duhet.

Vetëm mirëbesimi dhe partneriteti i plotë i lë pa kuptim: pazaret, interesat, kalkulimet, lakmitë, etj., defekte që po fliten gjithandej në publik. T’i kthehem gjendjes faktike. Programet qeverisëse të VV-së dhe LDK-së janë harmonizuar në plotni. Ndarja e ministrive është definuar. Kryeministri VV-së dhe Kryekuvendari LDK-së poashtu është punë e kryer.

Deri këtu si nga sasia si nga cilësia ndarjet janë bërë në bazë të mirëbesimit dhe partneritetit.

Megjithatë, LDK është mangu nga kompetencat qeverisëse edhepse në shikim të parë duket se janë të barabarta. Mirëbesimi është ilaqi i shkarjeve dhe dissbalanceve në kompetencat qeverisëse dhe deri këtu jemi OK. Kemi edhe një pozitë me të cilën pashmangshëm do të ballafaqohet ky koalicion e ai është i Presidenti. Pozita e Presidentit dhe atribuimi i së drejtës për ta propozuar LDK-ja kur t’i vijë koha është më se legjitime dhe këtu duhet VV-ja të reflektojë 100 %.

Ja arsyet: E para, pozita e Presidentit me kompetencat që i ka kishte ekuilibruar pushtetet në mes VV-së dhe LDK-së. E dyta, “checks and balances” është një standard që asnjëherë më parë nuk është aplikuar dhe mu këtu është ndryshimi që po prejudikohet aq shumë. Me këtë standard pushtetet e shtetit kontrollohen dhe balancohen vetëvetiu. E treta, flitet për një deklarim se propozimi i LDK-së për kandidatin e Presidentit kur t’i vie koha mos të sfidohet nga VV-ja, bile për këtë LDK-ja në këtë rast në mirëkuptim pajtohet që një ministri t’ia kaloj VV-së ashtuqë të kontribuohet 100% në standardin “checks and balances”.

Kjo nuk dmth garancion ose kusht detyrues sepse LDK-ja është e vetëdijshme se koalicioni nuk i ka numrat e nevojshëm për ta garantuar këtë pozitë. Them se me këtë ndarje pushtetesh do të realizohet ndryshimi i nevojshëm dhe do të funksionojë shteti aq shumë i munguar. Pushteti i pritur për shtetin tonë kësaj radhe nuk është pushtet i “sahonave”, është pushtet i “stupcit të demokracisë” siç e quante Dijetari RUGOVA që i bie pushtet i sundimit të ligjit.

Në fund, kjo bashkëqeverisje ka shumë punë për të bërë, ka nevojë për energji pozitive. Pritshmëritë e qytetarëve janë të mëdha, duhet t’i inkurajojmë të rinjtë të cilët po ndodhi ndryshe do të rrëmbehen nga vala e emigrimeve jashtë Kosovës dhe do të mbetemi ne ndërgjegjja e vrarë e mungesës së kurajos për funksionalizimin e shtetit që po na duhet si buka.

Krejt në fund, personalisht jam i bindur se bashkëqeverisja me mirëbesim dhe partneritet në mes VV-së dhe LDK-së do të ndodhë dhe për këtë jam optimist racional.