Arbëri

Lindjet me prerje cezariane në Kosovë janë në rritje

Descriptive Text

Në Kosovë është duke u rritur numri i lindjeve me prerje cezariane dhe po përdoret edhe në rastet kur nuk ka komplikime gjatë lindjes, gjë që shihet si shqetësuese për shëndetin e nënës dhe fëmijës.

Derisa në vitin 2000 numri i lindjeve me prerje cezariane ka qenë rreth 7.5 për qind, ky numër në vitin 2015 ka shkuar në 27.3 për qind.

Kështu u bë e ditur në tryezën me temën “Rritja e numrit të lindjeve me prerje cezariane në Kosovë”, organizuar nga Aksioni për nëna dhe Fëmijë (AMC).

Drejtori ekzekutiv i kësaj organizate, Vlorian Molliqaj, tha se lindjet me prerje cezariane po përdoren edhe në rastet kur nuk ka komplikim gjatë lindjes.

Ai tha se lindjet me prerje cezariane paraqesin rrezik për foshnjën dhe për nënën, ku tha se për foshnjën paraqet rrezik për sëmundje si astma dhe obeziteti, ndërsa për nënën mund të paraqesë komplikime në shtatzënitë e ardhshme.

“Lindjet me prerje cezariane paraqesin rrezik edhe për foshnjën, po edhe për gratë. Për foshnjën paraqesin rrezik për sëmundje të ndryshme si astma apo obeziteti, ndërsa për gratë mund të paraqiten komplikime në shtatzënitë e ardhshme. Edhe në Kosovë pak a shumë kemi gjendje të njëjtë me vendet tjera të botës, në vitin 2000 patëm pasur diku rreth 7.5 për qind lindje me prerje cezariane. Ndërsa në vitin 2015 ky numër ka shkuar në 27.3 për qind. Ajo çka është e rëndësishme me e cek prej këtij hulumtimi është që rreth 20 për qind të lindjeve me rrezik të ulët janë bërë me prerje cezariane. Gjetjet kryesore që kanë dalë duke u bazuar edhe në këtë hulumtim po edhe në raporte të ndryshme tregojnë që gratë të cilat kanë sigurim shëndetësor apo të ardhura personale mujore kanë gjasa shumë më të mëdha për të zgjedhur lindjet me prerje cezariane”, tha Molliqaj, përcjell kosovapress.

Ai tha se faktorët më të shpeshtë që kanë bërë që gratë të zgjedhin lindje me prerje cezariane ka të bëjë me frikën nga dhimbjet e lindjes, por edhe për arsye të ndryshme estetike.

Molliqaj deklaroi se shkallë e ulët me prerje cezariane është shfaqur në spitalet universitare, për shkak se sipas tij llogaria është më e madhe në këto spitale.

Sa i përket lindjeve me prerje cezariane, Molliqaj tha se trendi i rritjes së numrit është edhe në botë, ku ai tha se në vitin 2000 rreth 12 për qind e lindjeve kanë qenë me prerje cezariane, ndërsa në vitin 2015 ky numër ka shkuar në 21 për qind.

Ndërsa nga Zyra në Kosovë e ‘Solidar Suisse’ Ilir Hoxha, tha se trendi global i lindjeve me prerje cezariane ka shënuar rritje të vazhdueshme.

Ai tha se në botë ka vende që janë duke u përballur me mbi shfrytëzim të lindjeve me prerje cezariane, por edhe vende që janë nën shfrytëzimin e prerjes cezariane, e që të dyja sipas tij janë të rrezikshme për shëndetin e nënës dhe fëmijës.

“Çka është mbi 19 për qind në një farë mënyre është mbi shfrytëzim i prerjes cezariane. Do të thotë, vende të ndryshme janë duke u përballur me mbi shfrytëzim të prerjeve cezariane ose nën shfrytëzim të prerjeve cezariane e që të dyja kanë efekte negative potenciale në shëndetin e nënës dhe fëmijës. Trendi global në kuptimin e faktorëve që janë duke e shkaktuar këtë, sa i përket sistemit shëndetësor ose faktorëve që ndërlidhen me sistemin shëndetësor e konfirmon që faktorët në nivelin shtetëror, që për shembull këtu faktorë janë sigurimi shëndetësor, tipi i sigurimit shëndetësor ose kultura e përgjithshme e një shteti”, tha Hoxha.

Ai tha se kujdesi i udhëhequr prej mamive përgjatë lindjes sjell deri te zvogëlimi i numrit të lindjes me prerje cezariane.

Se rritja e numrit të lindjeve me prerje cezariane është shqetësuese e thotë edhe Magbule Elezi, nga shoqata e Mamive të Kosovës, e cila thotë se një bashkëpunim mes mamive, gjinekologëve dhe pacientëve do të ndihmojë që nënat të kuptojnë se zgjidhje më e mirë kur nuk ka komplikime është lindja në mënyrë natyrale.

“Në momentin që do të fuqizohet roli i mamisë, besoj që edhe gratë do të kenë mundësinë që të këshillohen dhe të parapërgatiten fillimisht për planifikimin familjar gjë që është shumë e rëndësishme, më pas duke vazhduar tutje drejt vendimit final të vendosin se si duhet të kryhet lindja. Jam e sigurt se bashkëpunimi ekipor në mes të mamive, gjinekologëve dhe pacientëve do ta fuqizojë më tepër rolin e mamive, sepse ne të gjithë jemi të thirrur për t’i ndihmuar dhe për t’i përkrahur gratë dhe familjet e tyre se duhet të jetë një lindje e shëndosh dhe duhet të kryhet një lindje në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ajo.

Ndryshe, tryeza e sotme e diskutimit është organizuar nga Aksioni për nëna dhe fëmijë dhe është përkrahur nga Solidar Suisse - Zyra në Kosovë.