Arbëri

Gashi pret që Gjykata ta hedhë poshtë akuzën ndaj tij qysh në seancën e parë

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sporti, Kujtim Gashi, ka thënë se pret që Gjykata të hedhë akuzën ndaj tij për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte kryetar i Asamblesë në Prizren, qysh në seancën e parë gjyqësore.

Në Interaktiv të KTV-së, Gashi ka thënë se akuza për transmetimin e seancave të asamblesë komunale në Prizren pa kaluar procedurat e prokurimit, s’ka të bëjë me të, “sepse pozita e kryesuesit të Asamblesë s’është pozitë ekzekutive”.

“Padyshim se është një vendim i cili s’ka të bëjë me mua sepse pozita e kryesuesit të Kuvendit s’është pozitë ekzekutive. S’ka kompetenca ekzekutive, por kur ka nisur ky hetim, e në intervistim të policëve hetues kam parë një joprofesionalizëm që as pyetje s’dinin çka të bënin”, ka thënë ai duke shtuar se “s’është befasuar me këtë aktakuzë” e se “për të ka kuptuar përmes mediave”.

Ai ka thënë se transmetimin e seancave të asamblesë në televizionet e Prizrenit e kishin vazhduar pa procedurë të prokurimit, “pasi kishim gjetur një praktikë të tillë e se Ligji i vjetër i prokurimit obligonte që për çdo kontratë të kishte tre operatorë të ligjshëm, e në Prizren kishim vetëm një televizion”.

“Andaj e kemi aplikuar këtë dhe kemi vazhduar me të njëjtën procedurë, por asnjërën s’e kam zhvilluar unë, por e ka bërë Drejtoria e Financave. Kur është ndryshuar Ligji për prokurim, dhe rekomandimit të Auditorit që tash e tutje të transmetohen seancat por pas kontratës përmes zyrës së prokurimit, menjëherë është hapur tenderi dhe ka fituar një televizion aty. Procedurat janë kryer përmes Drejtorisë së Financave, e nëse është shkelje pse s’ka vepruar prokuroria më herët, kur njëjtë vazhdoi që nga koha e Eqrem Kryeziut. Një vit e kam vazhduar siç e kam gjetur praktikën deri kur ndryshoi Ligji u lejua edhe vetëm me një operator dhe e pranuam”, ka thënë tutje ai. “Besoj që qysh në seancën e parë gjyqësore, do të shihen huqjet dhe do të hedhet aktakuza”.

Ai ka bërë të ditur se për një transmetim direkt të një seance, TV Opinioni ishte paguar 250 euro, ndërsa TV Besa për ritransmetim me 150 euro. Sipas tij, transmetimi i seancave ka qenë i rëndësishëm sepse “ka pasur raste kur opozita e ka lëshuar seancën dhe ka thënë se pa transmetim direkt të seancës nuk kthehemi në seancë”.

Gashi ka akuzuar kryetarin aktual të Prizrenit, Mytaher Haskuka, se ka bërë presion te prokuroria për të ngritur aktakuzën ndaj tij.

“Haskuka ka bërë thirrje që të ngrihet aktakuza sepse ai përmend në çdo intervistë se pa u ngrit akuza ndaj ish-kryetarit të komunës dhe të ish-kryetarit të asamblesë, s’ka logjikë të ketë aktakuzë ndaj ish-drejtorëve. Kjo është bërë për të bërë një balans sepse ka edhe drejtorë të VV-së me aktakuza. Prokuroria po mundohet të bëjë një balans”, ka thënë ai.

Gashi ka thënë se nuk ka nevojë për të folur as me kryetarin e partisë, Kadri Veseli, e as me askënd tjetër nëse e ndjen se ka bërë vepër penale. Ka thënë se aktakuza ndaj tij është “hajgare” në Prizren dhe se nëse vërtetohet fajësia ndaj tij, do të analizojë çdo post që e mban.

“ Të gjitha pozicionet që kam do të analizoj me vëmendje nëse vërtetohet fajësi për mua. Ndihem shumë i pastër në këtë proces, dhe asnjëherë në jetën time s’kam bërë shkelje”, ka deklaruar ai.


Gashi tutje ka thënë se nuk do të ndërhyjnë në çështjet e Federatës së Futbollit të Kosovës teksa ka deklaruar se puna e zgjedhjes së kryetarit të ri apo mandatit të tij është punë vetëm e organeve të federatës. Ai ka thënë se opinioni ligjor që ka qarkulluar online lidhur me problemet në FFK ka qenë vetëm komunikim i brendshëm dhe jo qëndrim përfundimtar i MKRS-së.