Arbëri

Kurti e Konjufca ftohen për intervistim pas kallëzimit penal ndaj Thaçit e Veselit lidhur me “Syrin e Popullit”

Descriptive Text

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se Prokuroria Themelore ka nisur hetimet lidhur me kallëzimin penal që e kishin bërë Albin Kurti e Glauk Konjufca kundër Hashim Thaçit e Kadri Veselit, lidhur me “Syrin e Popullit”. Për këtë të dy, Kurti e Konjufca janë ftuar për intervistim.

VV-ja thotë se më 25 prill të këtij viti Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes, dhe Glauk Konjufca, asokohe drejtues i Grupit Parlamentar, në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë bënë kallëzim penal kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, për lajmërim apo kallëzim të rremë (sipas kuptimit të Nenit 382, par. 1, 2 dhe 4), dhe deklaratë të rreme nën betim (sipas kuptimit të Nenit 383, par. 1 dhe 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) Nr. 06/L-074.)

“Më në fund një lajm i mirë, pas shtatë muajsh prokuroria ka nisur ta trajtojë këtë rast, dhe kanë ardhur fletëthirrjet që përfaqësuesit e Lëvizjes, Albin Kurti e Glauk Konjufca të paraqiten në prokurori nesër e të japin dëshmitë e tyre lidhur me këtë rast dhe me kallëzimin penal që e kemi ngritur”, thuhet në njoftimin e VV-së.

“Dëshirojmë të rikujtojmë për opinionin publik se Hashim Thaçi, president i Republikës dhe Kadri Veseli, asokohe kryetar i Kuvendit, kanë deklaruar rrejshëm nën betim më datën 28 dhjetor të vitit 2018, në procesin gjyqësor ndaj të ashtuquajturës “Organizata Syri i Popullit”, dhe para gjyqtarëve kanë thënë se Kryetari Kurti dhe deputeti Konjufca janë pjesë e kësaj organizate të quajtur terroriste. Pasi që dorëzuan kallëzimin penal deputeti Konjufca i cilësoi dëshmitë e rrejshme të Thaçit e Veselit kundër Lëvizjes si “përpjekje për eliminim politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, meqë padrejtësisht dhe me shpifje, prej Presidentit të Shtetit dhe Kryetarit të Kuvendit jemi lidhur me një organizatë, e cila pretendohet se është terroriste, që është Syri i Popullit”, thuhet tutje në njoftim.

VV-ja thotë se “Edhe pse e kemi pritur më shpejt veprimin e prokurorisë, qysh prej fillimit ne kemi shprehur bindjen dhe nuk kemi reshtur kurrë së besuari se brenda sistemit të drejtësisë ka prokurorë të guximshëm të cilët do të guxojnë ta çojnë përpara këtë rast, edhe pse sistemi është ende i kapur”.

{gallery}