Arbëri

Qeveria nuk ka ndalesë për ekzekutimin e pagave me rritje

Descriptive Text

Gjykata Kushtetuese nuk ua ka kumtuar institucioneve vendimin për pezullimin e Ligjit të pagave. Për aq kohë sa është kështu, sipas njohësve, vendimi nuk ka efekt juridik.

Vendimin, që ka nxitur greva në disa sektorë, Kushtetuesja e ka bërë të ditur javën e shkuar, nëpërmjet një informate për media. Por, atë si të plotë nuk e ka publikuar ende. Përpos vendimit, as njoftimin për pezullimin e ligjit nuk ia ka dërguar Qeverisë, institucion ky që kishte bërë përgatitjet për t’i ekzekutuar pagat e dhjetorit me rritje.

Koha Ditore ka pyetur në gjykatë nëse vendimet e saj kanë efekt juridik për aq kohë sa ato nuk publikohen dhe nuk u dërgohen palëve. Ky institucion nuk ka ofruar përgjigje të drejtpërdrejtë.

Vetëm ka thënë se aktgjykimi që i referohet Ligjit të pagave do të publikohet brenda disa ditësh.

“Gjykata ka miratuar nxjerrjen e vendimit për masë të përkohshme në seancën shqyrtuese të mbajtur më 12 dhjetor 2019. Njoftimi për vendimin e Gjykatës për miratimin e masës së përkohshme në këtë rast – së bashku me objektin e çështjes, pretendimet e palës parashtruese, bazën ligjore dhe pjesën operative të vendimit – është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës më 12 dhjetor 2019 dhe u është dërguar të gjitha mediave”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Kushtetueses. “Bazuar në Rregulloren e punës së Gjykatës dhe ngjashëm si në të gjitha aktgjykimet, aktvendimet dhe vendimet e deritanishme të Gjykatës, data e miratimit të këtij vendimi (që në këtë rast është seanca shqyrtuese e 12 dhjetorit 2019) do të figurojë edhe në versionin final dhe të plotë të tekstit të aktgjykimit që do të publikohet ditëve në vijim”.

Por, një nga ish-gjyqtarët e Kushtetueses i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti se, kur vendoset masë e natyrës çfarë është vendosur në rastin e Ligjit për pagat, palët duhet të informohen domosdo. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)