Arbëri

Fundjavë ngufatëse në Rahovec, niveli i ndotjes alarmant edhe në Komuna të tjera

Një nga qytetet më të ndotura këtë fundjavë, ka qenë Rahoveci.

Sipas matjeve në qendër të qytetit, Indeksi i Cilësisë së Ajrit ka shkuar në mbi 1 mijë dhe kështu niveli i ajrit është konsideruar i rrezikshëm për të gjitha kategoritë.

Derisa sipas matjeve vlera e ndotjes në Komunën e Rahovecit ka qenë e madhe, qytetarët e kësaj ane nuk kanë dashur të flasin para kamerës, duke thënë se në këtë qytet nuk ka fare ndotje, raporton KTV.

Ndonëse, pothuajse në tërë qytetin vërehej era e thëngjillit, qytetarët nuk kanë janë ndjerë të shqetësuar, ani pse vlera e ndotjes këtë të hënën ka arritur deri në 200.

Me këtë vlerë, e cila edhe është e pashëndetshme, Rahoveci radhitet ndër qytet me ajrin më të ndotur në Kosovë.

E, edhe për zyrtarë të Komunës, kjo gjendje nuk është shqetësuese, megjithëse thonë se kanë marrë masat e nevojshme për të parandaluar një ndotje të tillë.

Në gjendje më të mirë nuk kanë qenë as qytetet e tjera në Kosovë, të cilat, sipas matësit të Ministrisë së Mjedisit, ka shkuar deri në 120, vlerë kjo e pashëndetshme.

Kosova gjatë së hënës është renditur në vendin e 12 për nga ndotja e ajrit.