Arbëri

Bujqit ankohen për keqpërdorim të granteve

Descriptive Text

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqësisë, Tahir Tahiri, ka thënë se Ministria e Bujqësisë ka keqpërdorur me miliona euro, të ndara në formë të granteve për fermerët.

Në Express Intervistën në KTV, Tahiri ka thënë se një pjesë e madhe e bujqve mbesin pa fituar grantet për shkak të keqpërdorimeve që bëhen në këtë ministri.

“Bujqit ankohen për shkak se shteti, qeveria, ka përcaktuar një buxhet për bujqësinë, përmbi 50 milionë euro. Përveç harxhimeve dhe planeve të tjera, ekzistojnë ndihmesa në grante e subvencione. Këto para që shkojnë, keqpërdoren me të madhe. Bujqit janë të pakënaqur sepse një numër i madh i tyre për shkak të rrethanave dhe keqpërdorimit të mjeteve, mbesin pa përfituar edhe pse ka interesim shumë të madh, sidomos te grantet. Te subvencionet shumica marrin, por te grantet janë probleme më të mëdha. Ka fonde më shumë”, ka thënë ai.

Tahiri ka thënë se kjo Sindikatë i verifikon gjithmonë ankesat e bujqve, teksa ka thënë se shteti edhe po të jepte 70 milionë euro grante s’do të mund të plotësoheshin kërkesat e tyre. Ai ka thënë se të afërm të zyrtarëve apo të personave me ndikim në këtë ministri marrin edhe mito për të pranuar grante për bujq të caktuar. Sipas tij, bujqit janë në dijeni për keqpërdorimet, por s’kanë guxim të dalin publikisht apo të bëjnë ankesa zyrtare për shkak se “e dinë që do të ndëshkohen keq”.

“Bujqit s’e kanë guximin sepse në fillim kanë dalë edhe para mediave, por ata njerëz u ndëshkuan shumë keq dhe ka marrë përmasa kjo. Janë ndëshkuar me formën që 3-4 vjet s’kanë mundur të marrin subvencione. Janë futur në listën e zezë, duke u thënë se keni fryrë faturat, apo diçka të tillë”, ka thënë ndër tjerash Tahiri.

Sipas Tahirit, Prokuroria e Shtetit ka lënë në sirtar një padi të bujqve ndaj Ministrisë së Bujqësisë, të bërë para shumë vjetësh. Ai ka thënë se kjo ministri ka shkëputur edhe memorandum bashkëpunimin, pasi që “jemi prononcuar për problemet aty”. Tahiri ka thënë se kjo ministri nuk është fare transparente.

Ai ka thënë se edhe ankesat e bujqve nëpër ministri mbesin pa u shqyrtuar apo u kalon afati për grantin për të cilin kanë bërë kërkesë.

Sipas tij, deri 15 milionë euro të planifikuara për grante nga vitet e shkuara, janë orientuar diku tjetër, “ose kanë shkuar nëpër panaire, apo seminare të ndryshme”.

Tahiri po ashtu ka thënë se edhe njësia e Policisë për Krime Ekonomike nuk ka pranuar të dëgjojë ankesat e tyre.

“Policia për krime ekonomike ka thënë se s’keni fakte. Janë fshehur dokumente. Këta aprovojnë projekte më shumë se që kanë buxhet e duhet të eliminojnë dikë, nuk mund t’i eliminojnë të vetët, andaj i eliminojnë ata që s’kanë dhënë ryshfet dhe mënyra e manipulimit është të tërhiqet një dokument e t’i thuhet se jo s’e keni një dokument. Por ne i kemi fotokopjuar dhe u kemi thënë ja ku e kemi dokumentin e kopjuar ata s’kanë pranuar”, ka deklaruar më tej ai.

Sipas tij, “çdo nivel i drejtësisë në vend është i kapur”.