Arbëri

Për një vit asnjë i dënuar për krime lufte nga Gjykata Themelore në Prishtinë

Descriptive Text

Aktakuzat për krime lufte që nga hetuesia kanë mbërritur sivjet në Gjykatën Themelore në Prishtinë mund të numërohen me gishtat e një dore. Për 9 muaj të vitit 2019 kjo Gjykatë ka në punë katër raste. Nuk ka përfunduar procesi gjyqësor për asnjë rast.

E njëjta statistikë është edhe për vitin e kaluar. Në vitin 2018 kishte përfunduar trajtimi në gjykatë i vetëm një rasti që kishte arritur në 2017.

Në të gjitha gjykatat në Kosovë janë pranuar 9 aktakuza. Vetëm një rast ka përfunduar me aktgjykim dënues.

Prokuroria Speciale ka departament të veçantë për hetimin e krimeve të luftës. Në këtë departament janë pesë prokurorë.

Në Prokurorinë Speciale nuk u janë përgjigjur qe disa ditë pyetjeve të Kohës Ditore në lidhje me këtë çështje.

Gjykata Themelore në Prishtinë, përveç dërgimit të statistikave nuk ka dashur të deklarohej më shumë rreth kësaj çështjeje.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se sikurse në luftën kundër korrupsionit, institucionet e drejtësisë kanë dështuar edhe në trajtimin e krimeve të luftës.

“Nga fundi i vitit 2014, të gjitha kompetencat lidhur me luftimin e krimeve të luftës ishin transferuar nga EULEX-i tek institucionet vendore”, ka thënë Miftaraj.

Sipas tij, sistemi prokurorial në vend se të ndjekë krimet e luftës ka zgjedhur të krijojë “komfort zonë” që i rehabiliton prokurorët që kanë dështuar në luftimin e krimeve që lidhen me korrupsionin. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)