Arbëri

Shoqëria civile ka identifikuar shumë shkelje në shpenzimin e 630 milionë eurove

Në fushën e prokurimit publik, ku çdo vit shpenzohen miliona euro të buxhetit të shtetit, janë identifikuar shumë shkelje ligjore.

Në tri raporte të ndryshme, që të enjten janë prezantuar në tryezën “Sinjalizuesit në luftën kundër korrupsionit në prokurim publik”, që është organizuar në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion” nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Demokraci Plus dhe Organizata INPO, janë evidentuar problemet më të shpeshta që i përcjellin procedurat tenderuese.

Aplikimi i kritereve diskriminuese ose kufizuese, planifikimi joadekuat i kostos financiare të tenderëve, korrigjimi i gabimeve në njoftime të publikuara në kundërshtim me ligjin, moshartimi i kushteve të veçanta të kontratës gjatë fazës tenderuese dhe mungesa e specifikimeve teknike të detyrueshme, ballafaqimi i bizneseve me korrupsion gjatë proceseve tenderuese, si dhe vendimet e ndryshme për raste të njëjta në kuadër të Organit Shqyrtues të Prokurimit, janë disa nga gjetjet e këtyre raporteve, shkruan sot Koha Ditore.

Hulumtuesi në organizatën INPO, Vedat Poterqoi, ka prezantuar të dhënat e raportit lidhur me prokurimin publik në komunat e Kosovës. Poterqoi ka thënë se gjatë monitorimit kanë hasur në planifikim joadekuat të kostos financiare të tenderëve. Vlerat e parashikuara të kontratave, sipas tij, nuk janë në harmoni me planifikimin përfundimtar të prokurimit, njoftimin për kontratë dhe buxhetin e Komunës.

Në raport, gjithashtu, është konstatuar se ka pasur shkurtim të afateve kohore, aplikim të kritereve diskriminuese ose kufizuese, korrigjim të gabimeve në njoftime të publikuara në kundërshtim me ligjin, moshartimi i kushteve të veçanta të kontratës gjatë fazës tenderuese, si dhe mungesa të specifikimeve teknike të detyrueshme. Në këtë raport janë evidentuar edhe vonesa në vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve, si dhe thuhet se ka pasur raste të kushtëzimit të operatorëve ekonomikë që të punësojnë ish-punëtorët e Komunës në kontratat e pastrimit.

Në këtë raport INPO-ja ka gjetur se ka pasur edhe mossaktësim të datës së fillimit dhe të mbarimit të kontratës dhe validitetit të sigurisë së ekzekutimit të kontratës në kundërshtim me ligjin.

Shkeljet ligjore më të shpeshta, që janë identifikuar gjatë monitorimit të tenderëve në komunat e Kosovës gjatë fazës së menaxhimit të kontratave, janë ato që lidhen me sigurimin e ekzekutimit të kontratave publike, caktimin e afatit për zbatimin e kontratave, shkeljet rreth lidhjes së kontratave për të cilat komunat nuk kanë pasur buxhet, si dhe vonesat në ekzekutimin apo përmbylljen e kontratave.

Një shkelje tjetër, që është gjetur në prokurimin publik nëpër komuna, është edhe kontraktimi i shërbimeve nga organizatat joqeveritare përmes prokurimit publik. Sipas raportit, katër komuna kanë lidhur kontrata me organizata joqeveritare, për shërbime shëndetësore.

“Në asnjërën nga këto aktivitete të prokurimit nuk është shënuar se kontraktimi i shërbimeve është planifikuar të bëhet nga organizata joqeveritare”, thuhet në këtë raport.

Gjatë fazës së tenderimit për këta tenderë kishte ofertuar vetëm një organizatë joqeveritare, e cila thuhet se edhe i ka fituar të gjitha këto kontrata. Në dosjet e tenderit të tri kontratave, thuhet se specifikimet teknike të detyrueshme janë identike më njëra-tjetrën dhe vetëm sasia është e ndryshme. Për më tepër thuhet se organizata fituese e këtyre kontratave nuk është e licencuar për ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe ambulatore, ashtu sikur kërkohet me ligj.

Deri tek këto gjetje INPO-ja ka ardhur pasi që ka monitoruar 160 aktivitete të prokurimit në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. 80 aktivitete thuhet se janë monitoruar nga inicimi i prokurimit e deri tek lidhja e kontratës dhe 80 aktivitete të tjera është monitoruar menaxhimi i kontratës.

INPO-ja, gjithashtu, ka monitoruar edhe rastet gjyqësore të zyrtarëve të prokurimit apo zyrtarëve të tjerë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion në lidhje me prokurimin publik.

Gjatë këtij viti thuhet se janë monitoruar 23 seanca gjyqësore, ku përfshihen nëntë lëndë në të cilat akuzohen për korrupsion zyrtarët e prokurimit publik të nivelit të institucioneve lokale dhe qendrore.

“Karakteristikë e këtyre rasteve është se gjatë këtij viti, gjykatësit kanë shpallur aktgjykime liruese në pesë raste, ndërsa në katër rastet e tjera po vazhdojnë shqyrtimet gjyqësore. Pra, ende nuk ka asnjë zyrtar të prokurimit publik të akuzuar për korrupsion dhe të dënuar me burgim efektiv gjatë këtij viti”, thuhet në raportin e INPO-s. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)