Arbëri

Kërcënon “Monego”, nëse nuk shtyhet vendimi i BQK-së lënda shkon në Arbitrazh

Institucioni mikrofinanciar “Monego”, ka kërkuar nga Banka Qendrore e Kosovës që të shtyjë revokimin e licencës.

Nëse kjo nuk shqyrtohet nga BQK-ja, zyrtarë të “Monego”-s kanë paralajmëruar se rastin do ta dërgojnë në Arbitrazh.

Avokati i kompanisë në Kosovë, Arianit Koci, thotë se vendimi i BQK-së për marrje të licencës është joligjor dhe skandaloz.

Përfaqësuesi i aksionarit të “Monego-s”, tha se kanë investuar më shumë se 12 milionë euro në Kosovë.

“‘Monego’ ka ardhur në Kosovë në vitin 2017 dhe misioni ynë ka qenë të ofrojmë financa për ata që kishin nevojë. Çfarë na bën neve si kompani ndryshe, është dallimi i modelit të korporatës dhe forcimi i pozitës sonë në tregjet financiare. Ne shërbejmë diku 13 mijë persona në muaj. Ne nuk marrim depozita publike dhe nuk rrezikojmë paratë e juaja”, ka thënë Aldis Umblejs – Përfaqësuesi i aksionarit të “Monego-s”.

Ai shtoi se kanë plane afatgjata në Kosovë dhe janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Bankën Qendrore.

BQK-ja, javën e kaluar, njoftoi se ka revokuar licencat për “Iute Credit-in” dhe “Monego-n”.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, tha se në kohën kur këto dy institucione kishin aplikuar për licencë në BQK, kishin dorëzuar një plan biznesi, nga i cili, këto vite, ato kanë devijuar vazhdimisht.