Arbëri

Shqipëria e do Kosovën anëtare në Kartën e Adriatikut

Është mbajtur të mërkurën në Tiranë Ministeriali i Mbrojtjes së vendeve të A5 “Karta e Adriatikut”. Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, mirëpriti, në cilësinë e kryesueses së kësaj nisme për vitin 2019, përfaqësues të lartë të vendeve pjesëmarrëse.

Ndërkohë që Kosova bashkë me Slloveninë e Serbinë kanë marrë pjesë me statusin e vëzhguesit. E pranishme ishte edhe zëvendësasistentja e sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-së për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë, Laura Cooper, shkruan sot “Koha Ditore”.

Shqipëria si kryesuese për vitin 2019 e nismës SHBA-Karta e Adriatikut, nga ana e saj ngriti edhe një herë çështjen e pranimit të Kosovës si vend anëtar, e cila aktualisht ka statusin e vëzhguesit në A-5. Ministrja Xhaçka gjatë fjalës së saj theksoi se për të gjithë Shqipërinë, institucionet, por veçanërisht për Ministrinë e Mbrojtjes, këto kanë qenë ditë dhimbjeje, vështirësie, por edhe të një pune të jashtëzakonshme për menaxhimin e situatës pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit. Ministrja falënderoi të pranishmit për përkrahjen që i kanë dhënë Shqipërisë, ndërsa foli për iniciativën që tani kryeson.

“Qëkur Shqipëria mori kryesimin e iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut në janar 2019, ne shpallëm si prioritetin tonë më të madh politikën e dyerve të hapura. Shqipëria në favor të kësaj politike do të vazhdojë të mbështesë pa kushte pranimin e Kosovës me statusin e vendit anëtar në këtë iniciativë. Morëm përsipër të punojmë e të përpiqemi me çdo mundësi për ta zgjeruar dhe për ta hapur më tej këtë iniciativë. Sot, besoj më shumë se kurrë se, kjo është një domosdoshmëri, sepse besoj që pikërisht formate si ky hedhin themelet e bashkëpunimit, fuqizimit të marrëdhënieve dhe krijimit të asaj rrjete lidhjesh, miqësish, kontaktesh, që janë aq të rëndësishme për të garantuar paqen dhe sigurinë në zonën euroatlantike”, tha Xhaçka.

Po ashtu, ministrja Xhaçka nënvizoi se një nga nismat më të rëndësishme të ndërmarra nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë gjatë kryesimit është edhe ajo që lidhet me mundësinë e angazhimit në një mision të përbashkët në Irak, në kuadër të NATO-s, ku Shqipëria do ta luajë rolin e vendit drejtues.

Ndërsa zëvendësasistentja e sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-së për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë, Laura Cooper, tha se shqiptarët dhe amerikanët kanë qenë gjithmonë bashkë në kohë të vështira. Ajo vlerësoi, gjithashtu, kontributin pa kushte të të gjitha vendeve, të cilat reaguan menjëherë pas kësaj ngjarjeje.

“Do të doja të filloj me ngushëllime për familjet që vuajtën si pasojë e këtij tërmeti. SHBA-ja janë miq të Shqipërisë si gjithë amerikanët dhe shqiptarët që kanë qenë bashkë në kohë të vështira. Këta popuj kanë qenë gjithmonë bashkë. Të gjitha vendet që janë sot këtu, që reaguan pa asnjë kusht dhe kanë dhënë mbështetjen e nevojshme për të ndihmuar Shqipërinë në këtë periudhë të vështirë. SHBA-ja qëndrojnë afër Shqipërisë, partneritet me të gjitha vendet e rajonit. Kjo na sjell në këtë seancë të A5-s. Pavarësisht nga ky tërmet që ndodhi, ne patëm mundësi të takohemi dhe shoh që kemi shumë miq në këtë tryezë”, tha Cooper.

Ky ishte takimi i fundit i Ministerialit të Mbrojtjes që drejtohet nga Shqipëria, e cila gjatë vitit 2019 pati radhën e kryesimit. Për këtë, znj. Cooper vlerësoi rolin e saj në drejtimin e A-5-s. “Shqipëria është një shembull i jashtëzakonshëm për t’i mbështetur operacionet e NATO-s. Siguria që ofroni vazhdon të jetë e rëndësishme dhe u përshtatet gjithmonë aspekteve politike dhe taktike të situatave me të cilat ne përballemi”, tha Cooper.

Shqipëria pritet të jetë kryesuese e një misioni ushtarak në Irak në vitin 2020. Propozimi u miratua nga ministrat e Mbrojtjes të vendeve të A5-s, të cilët ishin në Tiranë në mbyllje të kryesimit nga Shqipëria të iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut për vitin 2019.

Në konferencën për shtyp me zëvendësasistenten e sekretarit të Mbrojtjes së SHBA–së, znj. Laura Cooper, pas përfundimit të punimeve të Ministerialit, ministrja Xhaçka tha se diskutimet me homologët e rajonit u përqendruan në sfidat e sigurisë në kuadër të bashkëpunimit në NATO. “Sigurisht që diskutimet tona u fokusuan edhe në situatën aktuale të sigurisë që po kalon rajoni ynë, sfidat e sigurisë me të cilat përballemi të gjithë, por edhe mënyrën sesi të gjithë ne mund të intensifikojmë kontributin tonë për sigurinë kolektive të NATO-s, duke marrë pjesë në misionet dhe operacionet e Aleancës”, tha ajo.

Ndërkohë, zyrtarja e SHBA-së tha se vendet e rajonit të Ballkanit kanë kapacitetet e duhura për të kontribuar në sigurinë globale përmes edhe angazhimeve konkrete në operacione ushtarake. “Kemi fokusuar diskutimet tona bazuar në atë përvojë se ku këto 5 vende mund të promovojnë sigurinë nëpërmjet bashkëpunimit rajonal, duke forcuar kapacitetet dhe me anë të dhënies së kontributit të përbashkët në operacione ndërkombëtare”, theksoi Cooper.

Ministrat e Kartës së Adriatikut A5 kanë nënshkruar edhe një deklaratë zyrtare në përfundim të Ministerialit të mbrojtjes, duke marrë një sërë angazhimesh të përbashkëta me në fokus sigurinë. Vendet anëtare të A-5-s janë Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi , Maqedonia e Veriut dhe SHBA-ja, ndërsa vëzhguese Kosova, Sllovenia dhe Serbia. Për vitin 2020 kryesimin e nismës e merr Bosnjë-Hercegovina.