Arbëri

Visoka-Weller: Kosova ka mundur të bënte më shumë për evidentimin e krimeve të kryera nga Serbia

Doktorantja në Degën e Arkeologjisë në Universitetin e Cambridgeit, Nora Visoka-Weller, duke shpalosur detaje nga hulumtimi i saj “Trashëgimia atrocitare dhe statusi i të masakruarve: rasti i Kosovës 1998-1999”, ka thënë se shteti i Kosovës nuk ka bërë sa duhet për dëshmimin e krimeve të kryera nga Serbia.

Në kuadër të Express Intervistës në KTV, Visoka-Weller ka thënë se Kosova ka pasur rast edhe në të kaluarën për të bërë më shumë për evidentimin e krimeve të Serbisë të kryera në Kosovë. Sipas saj, megjithatë kurrë s’është vonë dhe akoma mund të bëhet një gjë e tillë.

Ajo ka thënë se ka vendosur të përdorë nocionin e ri shkencor “trashëgimi atrocitare” për rastin e Kosovës, pasi konsideron se Kosova ka trashëguar nga e kaluara histori të dhunshme, nga e cila është prekur e gjithë shoqëria.

“Kur kam nisur këtë hulumtim kam dashur ta di se si e shohin Kosova dhe Serbia të kaluarën dhe si i konceptojnë dy shoqëritë njerëzit e pafajshëm që janë vrarë në Kosovë. Kam shikuar ku janë bërë masakrat në Kosovë dhe varrezat masive në Serbi. Unë s’kam bashkëpunuar me autoritete serbe, s’kam tentuar, por kam pasur përkrahje të madhe. Kam kuptuar se ka shumë aktivitet nëpër Serbi sa i përket kësaj të kaluare. Ka pasur tentime t’i komemorojnë Batajnicën si varrezë masive, që është vetëm 20 minuta larg nga qendra e Beogradit. Kam qëndruar disa javë në Beograd dhe vende të tjera. S’kam pasur problem, përkundrazi kam marrë shumë informacione e kam pas përkrahje nga aktivistë të ndryshme”, ka thënë ajo për hulumtimin e saj.

Sipas saj, statusi i trupave të vrarë është shumë i rëndësishëm jo veç nga aspekti shkencor, por edhe aspekti politik.

“Çdo gërmim është akt i rëndësishëm politik. Është evidencë historike se si është kryer ngjarja. Komemorimet ndodhin nëpër gjithë botën. Nëse shohim rastin e Kosovës se si ka ardhur një trup, apo qindra trupa në Serbi. Kur janë vrarë në Kosovë fëmijë dhe pleq, e janë hedhur nëpër kamionë e janë dërguar në Serbi tregon se është kryer krimi në koordinim me nivelet e larta institucionale të Serbisë. Ata trupa janë evidenca më e mirë se si kanë ndodhur këto krime sepse s’kanë vdekur në mënyrë të natyrshme. Një njeri i ngritur në Kosovë më tha se i vdekuri është me të vdekurin e i gjalli me të gjallin, por këta janë vrarë. Prandaj statusi i tyre është shumë i rëndësishëm”, ka deklaruar ajo. “Shteti i Kosovës s’ka bërë sa duhet. S’ka shfrytëzuar këtë rast të dëshmojë se këto krime kanë ndodhur e si kanë ndodhur. S’është bërë aq sa duhet për të zbuluar fatin e të pagjeturve e për të zbuluar këto krime, për t’i evidentuar e dokumentuar në mënyrën e duhur. Janë krime të mëdha, e për rastin e Kosovës shumë të rëndësishme sepse janë të gjithë njerëz të pafajshëm. Në rastin e Kosovës, për shembull në Gjakovë, shumica e përdhunuesve janë të njohur për komunitetin, dihet emri, mbiemri e se kush janë. Kosova ka pasur evidencë të fortë për ta shtyrë përpara ligjërisht çështjen, por s’e ka bërë. Pse s’e ka bërë nuk e di, por e di që nuk e ka bërë”.

Sipas saj, Kosova nuk duhet të befasohet më nga liderët serbë teksa mohojnë krimet e Serbisë në Kosovë. Ajo ka thënë se megjithëse institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm, një gjë e tillë s’është vonë të niset as tash.

“Juridikisht çdo gjë mund të jetë e komplikuar, por Kosova e ka pasur mundësinë posaçërisht kur ka ekzistuar gjykata speciale për Jugosllavinë. S’mund të presim ne nga Serbia të bashkëpunojë. Vetë presidenti e mohoi Reçakun. E konsiderojnë si detyrë të tyre të mohojnë. S’mund të presim nga Serbia ta bëjë punën që duhet ta bëjmë ne. Popullata e Kosovës s’duhet të trazohet nga ajo që vjen nga Serbia. Presidenti i Serbisë nuk duhet të habitemi që mohon çdo krim të kryer nga ana serbe. Edhe pse moralisht do të duhej të pranonte realitetin e të njohë krimet që ka kryer Serbia në Kosovë. Një gjë të tillë s’e ka kërkuar as Kosova nga Serbia. Duhet ta kërkojë Kosova njohjen e krimeve të bëra. Ky është hapi i parë. S’është kurrë vonë të fillohet. Kosova ka pasur avantazh që shumë vende në botë s’e kanë pas. Kosova s’ka arkeolog forenzik, e të gjitha i kanë bërë ndërkombëtarët. Ka evidencë të madhe që është dokumentuar nga ndërkombëtarët. Këto krime njihen nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë tutje ajo.

Ajo ka thënë se procesi i negociatave mes dy shteteve duhet të vazhdojë patjetër, por me Kosovën që fokusohet te vetvetja. Sipas saj, fakti që dihet qëndrimi i Serbisë, e bën më të lehtë punën për Kosovën. Ajo ka thënë se kjo pikë dhe fakti që Kosova ka shumëçka për të vënë në tavolinë me Serbinë, e vendosin Kosovën në avantazh në dialog, “nëse e bën këtë siç duhet me njerëzit e duhur”.

Visoka-Weller ka thënë se në hulumtimin e saj kritikon individët që “kanë nënvlerësuar e s’kanë vënë në pah masakrat e Kosovës, duke mos i memoralizuar vendet ku kanë ndodhur masakrat”.

“Edhe ne jemi si krejt tjerët në Ballkan. Po veprojmë në një mënyrë që është e gabuar, por s’do të thotë që mund ta përmirësojmë. S’është vonë të përmirësojmë gabimet e deritashme. Incidentet kanë ndodhur nga moskonsultimi me njerëz profesionistë në këtë fushë. S’mund të ngrihet një memorial apo bust pa pasur të dhëna të të gjithë komunitetit”, ka përfunduar ajo.