Arbëri

Strehim i përkohshëm për 13 294 qytetarë të prekur nga tërmeti në Shqipëri

Descriptive Text

Tiranë, 11 dhjetor - “Deri më sot, u është siguruar strehimin e përkohshëm rreth 13 294 qytetarëve të prekur nga tërmeti”, deklaroi drejtuesi qendror i Operacionit për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore, Blendi Çuçi, njëkohësisht ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Çuçi bëri sot një bilanc të masave që u morën për strehimin e banorëve menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit.

Ai tha se “paralelisht me operacionin e kërkim-shpëtimit, Shtabet e Emergjencave për të tre qarqet organizuan strehimin për të gjithë banorët e mbetur pa strehë për shkak të tërmetit”.

“Në ditët e para, organizuam strehimin emergjent të tyre në palestra, Qendra Sociale dhe çadra, këto të fundit kryesisht në zonat rurale. Megjithatë, në bazë të vullnetit të Qeverisë dhe angazhimit të Kryeministrit, duke filluar nga pasditja e datës 27 nëntor, banorët e prekur nga tërmeti në qarqet Durrës dhe Lezhë filluan të strehohen në struktura hoteliere”, tha ai.

Sipas Çuçit, “deri më sot, u është siguruar strehimin e përkohshëm rreth 13 294 qytetarëve të prekur nga tërmeti si vijon: 4 149 qytetarëve i strehuam në hotele; 395 në Qendra Sociale; 254 qytetarë i strehuam në palestra; dhe 7 383 në çadra”.

Ndërkohë, ai tha se “mbi 1000 banorë të tjerë janë strehuar në qytete të tjera të Shqipërisë dhe në Kosovë”.

Çuçi tha se “gjatë këtyre dy javëve, u dhuruan nga qeveria 23 apartamente në Durrës dhe Tiranë për të gjitha familjet që kanë humbur familjarët dhe banesat e tyre. Deri më sot, 6 nga këto familje kanë filluar të banojnë në banesat e dhuruara/ATSH.