Arbëri

Konferenca e ministrave të Nismës SHBA - Karta e Adriatikut 5 në Tiranë, e pranishme edhe Kosova

“Bashkëpunimi i SHBA-ve me vendet e A5 është pjesë e rëndësishme e sigurisë kolektive të Europës”, deklaroi sot në Tiranë zëvendës asistentja e sekretarit të Mbrojtjes së SHBA - ve, Laura Cooper, në konferencën e ministrave të mbrojtjes së “Kartës së Adriatikut A5”.

Zonja Cooper tha se “Shqipëria është një shembull i jashtëzakonshëm për mbështetjen e operacioneve të NATO-s në të gjitha koalicionet, dhe kohët e fundit në kuadrin e luftës së Gjirit. Angazhimi i SHBA-ve për Aleancën e NATO-s ndaj partneriteteve që kemi mbetet shumë i fortë”.

Ajo theksoi se me vendet e A5 gjithmonë SHBA kanë sfida të ndryshme të përbashkëta, ndaj edhe gjatë vitit të kaluar SHBA ka qenë vazhdimisht e pranishme në këtë rajon.

“Asistenca e sigurisë së SHBA, mbështetja në kuadrin e mbrojtjes vetëm nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes për vendet e A5 ka qenë mbi 743 milionë dollarë që nga viti 2012, si pjesë e bashkëpunimit për sigurinë dhe pjesë e ngritjes së kapaciteteve, si për vendet anëtare ashtu edhe për vendet vëzhguese” - tha zonja Cooper.

Angazhimi i SHBA-ve pasqyron edhe vlerësimin për kontributet e këtyre vendeve në sigurinë globale dhe rajonale, tha ajo.

“Shumë prej forcave të armatosura qëndrojnë bashkë në misionet e Afganistanit dhe misione të tjera. Vendet tuaja janë të rëndësishme për ofrimin e sigurisë për vendet e rajonit edhe në planin ndërkombëtar” - tha zonja Cooper.

Ajo theksoi se siguria që ofrojnë vendet e A5 vazhdon të jetë e rëndësishme, madje u përshtatet aspekteve taktike dhe politike të situatave të ndryshme.

“Mbështetja e SHBA në kuadrin e dyerve të hapura të NATO-s u jep mundësi mundësi vendeve të përzgjedhin rrugën e vet. Nëse ajo është një rrugë e NATO-s apo e BE-së, kjo nuk ndryshon. Ne jemi mbështetës të progresit në rajon. Ne e shikojmë A5 si një mundësi të rëndësishme bashkëpunimi për të kontribuar në sigurinë kolektive të Europës” - tha zonja Cooper.

Në konferencën e Kartës së Adriatikut 5 morën pjesë anëtarët Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, si dhe vendet vëzhguese Kosova, Sllovenia dhe Serbia/VOA.