Arbëri

Zjarrfikësit ngrenë shqetësimet për gjendjen e rëndë në punë, frikë se nga janari mbesin pa paga

Foto: Koha / ilustrim

Sindikata e Shërbimit të Zjarrfikësve në një konferencë për media ka ngritur shqetësimin e tyre për gjendjen e rëndë të tyre, ku iu mungojnë pajisjet për punë, siguria, pagat e ulëta dhe statusi i pa definuar.

Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria në dorëheqje dhe kryetarët e komunave që ta fuqizojnë këtë kategori dhe t’i realizojnë premtimet e dhëna, në të kundërtën paralajmërojnë protestë dhe greva.

Sindikalistët e këtij shërbimi kanë thënë se janë të shtrënguar që të reagojnë ose të marrin masa në shenjë revolte dhe pakënaqësie lidhur me gjendjen alarmante që ka kapluar këtë shërbim dhe mos gatishmërinë e institucioneve për të zgjidhur problemet të cilat në vazhdimësi e përcjellin këtë Shërbim Emergjent, transmeton kp.

Zjarrfikësit gjatë këtij viti u përballen me shumë probleme dhe gjithashtu viti i ardhshëm do të jetë edhe më i vështirë për shkak se institucionet e shtetit nuk kanë planifikuar buxhet për zjarrfikësit , as nga niveli lokal e as ai qendror.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve në nivel vendi, Muharrem Beka tha se kërkesat e tyre nuk po përfillen nga institucionet dhe nuk po zbarohen ligjet ën fuqi, dhe kështu kanë mbetur të diskriminuar.

Ai tha se shërbimi i zjarrfikësve ka mbetur pa përkujdesje institucionale, ndërsa kërkoi që kësaj kategorie t’i kthehet dinjiteti, pasi punojnë në kushte mjaft të vështira.

“Edhe një herë i bëjmë me dije institucioneve se shërbimi I zjarrfikësve donë zgjidhje urgjente. Prej 1 janarit është planifikuar që zjarrfikësit të jenë staf i Ministrisë së Punëve të Brendshme, mirëpo ligji i financave komunale nuk ka shkuar në Kuvend, qeveria është dorëhequr dhe kemi mbetur pezull. Zjarrfikësit prej 1 janarit nuk kanë buxhet të planifikuar, komunat kanë planifikuar me pretekst se zjarrfikësit do të jenë nën menaxhim të MPB-së. Edhe MPB nuk ka planifikuar nuk ka planifikuar buxhet”, deklaroi Beka.

Ai shtoi se ligji i pagave duhet të zbatohet, në të kundërtën zjarrfikësit do të mbesin me paga minimale. Kjo situatë, sipas tij, duhet t’i shqetësojë të gjithë, marr parasysh edhe fatkeqësitë natyre, si p.sh. tërmeti që ndodhi në Shqipëri.

Ndërsa kryetari i Këshillit të Protestave Zymri Krasniqi paralajmëroi edhe protesta nëse nuk kalon ligji për paga. Ligji për paga i miratuar në Kuvend, i cili tashmë është dërguar në Kushtetuese nga Avokati i Popullit, parasheh 2.2 koeficientin e pagave për zjarrfikësit.

Në mbështetje të zjarrfikësve ka dalë edhe kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, i cili tha se ata janë heronj të gjallë që shpëtojnë jetë, por për fat të keq premtimet që janë bërë nga Qeveria në dorëheqje, nuk i ka përmbush asnjë prej tyre, përveç që kanë mbetur premtime politike në letër.

“Zjarrfikësit e rrezikojnë veten, janë heronj të gjallë për të shpëtuar një jetë, një familje, një fëmijë. Kështu që për fat të keq, premtimet të cilat janë bërë nga qeveria në dorëheqje, edhe pse ka premtuar që t’i realizojnë të drejtat e tyre, nuk janë realizuar ende asnjë e drejtë. Nuk kam një argument që është realizuar një premtim i qeverisë”, theksoi Ajdini.

Ai tha se si BSPK qëndrojnë pas kërkesave së kësaj kategorie, e cila është mjaft e rrezikuar në vendin e punës.