Arbëri

Klima në krizë

Foto: Driton Paçarada / KD / ilustrim

Kosova kujtohet për mjedisin vetëm gjatë muajve të dimrit, kur Prishtina dhe rrethina ngufaten prej ajrit të ndotur. Në kohën e temperaturave të acarta vlon debati për ndotjen në rrjete sociale. Ngrihen shqetësime e adresohen probleme, por institucionet përgjegjëse zakonisht luajnë pingpong me përgjegjësinë.

Pa leje mjedisore operon edhe termocentrali “Kosova A”. Ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, thotë se nuk e vret ndërgjegjja për këtë fakt. Justifikohet me boshllëqet ligjore, që aktivistët thonë se janë krijuar qëllimshëm për t’iu dhënë njerëzve të afërt me politikën dritën jeshile për vazhdimin e degradimit mjedisor, shkruan Koha Ditore. Por ndryshimet mjedisore mund të nxisin edhe përplasje ndërmjet shteteve fqinje, për shkak të mungesës së burimeve në kohën kur ndryshimi klimatik është kthyer në sfidë botërore, alarmojnë Kombet e Bashkuara.

Ngjashëm ndodh edhe me shqetësimet e ngritura për degradimin e lumenjve e luginave, që pa leje mjedisore u janë dhënë kompanive të afërta me pushtetarët që po ndërtojnë hidrocentrale. Qeveria pretendon se kështu po i kontribuon ngritjes së prodhimit të energjisë së ripërtëritshme, një prej mënyrave për ta luftuar ndikimin negativ të ndryshimit klimatik. Mirëpo banorët e zonave dhe ekspertët e shoqërisë civile thonë se Kosova po i fut ujërat e pakta në tuba të çelikta për përfitime të dyshimta. Lumenjtë janë kthyer në impiante të hapura, ku nga qytetarët dhe kompanitë komunale derdhen ujërat e zeza dhe mbetjet e ndryshme industriale.

Kosova po gjymtohet

Ulja e shkallës së reshjeve atmosferike dhe zgjatja e periudhave me thatësi ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshmërinë e qytetarëve. Krizës së ujit i kontribuon edhe prerja legale e ilegale e pyjeve. Malet e fushat digjen qëllimshëm verës, duke emetuar gazra serrë. Sikurse ndodh edhe me deponitë e hapura legale e ilegale gjithandej Kosovës. Bashkë me këto, edhe djegia e lëndëve djegëse nëpër shtëpi e institucione ndikon në degradimin mjedisor. Megjithëse e vogël, Kosova kontribuon në ndryshimin klimatik global që po ndodh si pasojë e aktivitetit të njeriut, thonë ekspertët.

“Kosova po gjymtohet”, alarmon Fatos Lajçi, aktivist i organizatës mjedisore “Era”.

“Edhe pse e vogël, Kosova kontribuon në krijimin e gazrave serrë përmes djegies së fosileve (kryesisht nga gjigantët: KEK, Ferronikeli dhe Sharrcem, por edhe transporti), humbjes së tokës pyjore dhe bujqësore si pasojë e keqmenaxhimit të zhvillimit të territorit dhe shfrytëzimit të tokës, keqmenaxhimit të mbeturinave përmes mosprezantimit të reduktimit të mbeturinave të deponuara, keqmenaxhimit të deponive rajonale dhe krijimit të deponive ilegale; mostrajtimit të ujërave të zeza, e të tjera”, thotë Sami Stagova, aktivist i organizatës tjetër mjedisore “Gjethi”.

“Ndotja e mjedisit bëhet në përmasa shumë të mëdha, por a bëhet diçka për mbrojtjen e mjedisit? Unë mendoj se shumë pak bëhet”, ka thënë Sejdi Halimi nga Iniciativa për Mbrojtjen e Mjedisit.

Lajçi, Stagova e Halimi kanë qenë vetëm disa prej pjesëmarrësve të panairit “Ekologji(k)a kosovare”, të organizuar nga koalicioni i OJQ-ve “Pro Open” në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës. Në tri anët e mureve të gurta është dokumentuar me fotografi dhe në disa filma degradimi i mjedisit me ndotje të ajrit, dëmtim pyjesh e lumenjsh, me deponi të mbeturinave, shkaku i gurthyesve, ndërtimet e hidrocentraleve.

Stagova ka thënë në një intervistë të shkruar se ngritja e temperaturës mestare globale vjen kryesisht si pasojë e shtresëzimit të gazrave serrë që lirohen nga karburantet fosile për nevoja të industrisë, transportit, por edhe të bujqësisë. Ai ka thënë se ndryshimi klimatik e prek botën në përgjithësi, porse më së shumti e vuan niveli nacional e ai lokal.

Nuk dihet ndikimi i ndryshimit klimatik

“Vendet në zhvillim, si Kosova, janë më të cenueshme në këtë mes. Kjo ndikon që të ndryshohet struktura e të reshurave duke shkaktuar thatësira të tejzgjatura apo shira të mëdha të pasuara me furtuna apo vërshime”, thotë Seb Bytyçi, ligjërues i shkencave politike në Programin për politikë dhe ekonomi në Universitetin e Londrës dhe ligjërues i Paqes dhe konfliktit në Universitetin e Winchesterit. “Në të dy rastet kemi ndikim në potencialin bujqësor dhe pasiguri të qasjes në ujë dhe ushqim. Duke u lidhur me situatën e tanishme duhet përmendur që për më shumë se 1 vit nuk ka pasur të reshura të mjaftueshme te ne dhe tashmë pasiguria për ujë të pijshëm është e madhe si në rastin e qyteteve të mëdha si Prishtina, Ferizaj, Gjilani, e të tjera”.

Kosova nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen për klimën, që u aprovua më 2016 në Paris nga shumica e shteteve të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është që të mbahet temperatura mesatare dy shkallë më e ulët se para niveleve paraindustriale, si dhe të bëhen përpjekje për të kufizuar ngritjen e saj deri në 1.5 shkallë celsius. Vetëm kështu do të reduktoheshin rreziqet dhe ndikimi i klimës. Kosova nuk ka nënshkruar as Konventën Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC) e as Protokollin e Kyotos.

Organizata Botërore e Meteorologjisë, mekanizëm i OKB-së, ka bërë të ditur të martën se dekada e kaluar ishte një prej atyre me “të nxehtin global të jashtëzakonshëm” dhe njoftonte se viti 2019, “mbase do të jetë viti i dytë ose i tretë më i nxehtë prej se regjistrohen të dhëna” për shkak të “gazrave serrë për shkak të aktiviteteve njerëzore”.

Kosova ka aprovuar strategjinë mjedisore 2013-2022. Në dokumentin e postuar në uebfaqen e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thuhet se “nuk është e njohur nëse Kosova është ose do të ndikohet nga efektet e ndryshimeve klimatike”.

Aty bëhet e ditur gjithashtu se të dhënat për ndryshimet klimatike në Kosovë janë të pakta. Gjithashtu shtohet se të dhënat e vetme në bazë të të cilave mund të bëhet një vlerësim i përafërt janë të periudhës 1985-1989. Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperatura më e lartë është shënuar më 1965 në Prizren, kur kishte arritur në 39 shkallë celsius. Më e ulëta ishte regjistruar më 1963, -32,5 shkallë celsius në Gjilan. Viteve të fundit Kosova dhe rajoni janë përballur me periudha të gjata verore të temperaturave të larta e reshje shiu. Ekspertët thonë se kjo po ndodh si pasojë e ndryshimeve klimatike në botë. Ministria e Mjedisit e pranon se ka të dhëna të pakta për ndikimin e ndryshimit klimatik.

Kërcënim gjeopolitik

Visar Azemi, nga Konsorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm i Kosovës (KOSID) thotë se është i mangët implementimi i kësaj strategjie. “Nuk është arritur asnjë përparim në përafrimin e legjislacionit, i cili do të ndihmonte që strategjia të implementohej”, thekson ai. Madje, sipas tij, ka mospërputhje të madhe ndërmjet asaj çfarë shkruhet në strategjinë mjedisore dhe planeve qeverisëse në sektorët e lidhur drejtpërdrejt me të, si ai i energjisë dhe mjedisit. Ai thotë se tashmë nuk mund të shmanget ndikimi i ndryshimeve klimatike.

“Në shumë vende të botës kemi parë se sa shumë kanë ndikuar ndryshimet klimatike duke shkaktuar mungesë të borës, vërshime të ndryshme, shkrirje të akullnajave dhe katastrofa të tjera natyrore”, thotë ai. Sipas Azemit, njerëzimi nuk u përqendrua në marrjen e masave të domosdoshme për të parandaluar pasojat e ndryshimeve klimatike. Madje, thotë ai, shumëkush nuk i mori seriozisht alarmet e ngritura nga institucione të rëndësishme shkencore.

“Raporte të ndryshme shkencore tregojnë se kjo dekadë ka qenë më e ngrohta në planetin tonë historikisht dhe se temperaturat do të ngrihen edhe më shumë. Gjatë këto ndryshime vijnë si rezultat i emetimit të gazrave të ndryshme serrë në atmosferë. Dyoksidi i karbonit dhe gazrat serrë kanë ndikuar negativisht jo vetëm në lëkundje të temperaturave, mirëpo edhe në shëndetin e popullatës, duke krijuar anomali të ndryshme dhe ndryshime gjenetike”, thekson ai.

Gazeta prestigjioze “New York Times” ka raportuar se si pavarësisht kushteve të akullta dhe arinjve polarë kureshtarë, një anije gjermane për thyerjen e akullit për nevoja shkencore me 100 shkencëtarë dhe anëtarë ekuipazhi ka mbetur në mëshirë të fatit në Arktikun Qendror, dy muaj pasi një ekspeditë mori udhë për të studiuar ndryshimin klimatik në rajon.

Jessie Creamen, hulumtuese në Universitetin Shtetëror të Kolorados, ka shkruar në një letër elektronike për gazetën njujorkeze se anija “Poltarstern” është ngujuar në akull prej fillimi të tetorit. Ajo dhe disa kolegë të saj u larguan vetëm pas mbërritjes së një anijeje tjetër. Creamean është në krye të një ekipi prej dymbëdhjetë shkencëtarësh që po marrin copëza akulli për t’i studiuar për nevoja të ndryshme, përfshirë ndikimin e ndryshimeve klimatike. Krejt puna bëhet në ditën pa dritë në këtë pjesë të botës.

Ekspedita prej 155 milionë dollarësh, organizuar nga instituti gjerman “Alfred Wagner”, me pjesëmarrës nga tetëmbëdhjetë shtete të tjera, ka për qëllim të avancojë studimet se si ndryshimi klimatik do të ndikojë në Arktikun Qendror, një rajon që po ngrohet dyfish më shpejt se rajonet e tjera, por që ishte studiuar relativisht pak për shkak të gjendjes së vështirë klimatike për studiuesit.

OKB-ja ka paralajmëruar se ndryshimi klimatik do të nxitë konflikte ndërmjet shteteve që kanë mungesë të burimeve natyrore. Gjatë debatit të qershorit ndërmjet kandidatëve të demokratëve për president të SHBA-së, katër pretenduesit për nominim partiak identifikuan ndryshimin klimatik si kërcënim të madh gjeopolitik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ligjëruesi Bytyçi ka thënë se ndryshimet mund të paraqesin rrezik për stabilitetin në Ballkan. Ai thotë se ndryshimet klimatike janë “shumëfishues të rreziqeve”. “Pra, të rreziqeve që tashmë ekzistojnë, si për shembull destabilizimi politik, gara për resurse, mungesa e ujit e ushqimit, shëndetësia, migrimi e të tjera”, thotë ai.

Bytyçi thotë se ndryshimet klimatike që ndikojnë në Ballkan janë përmes reshjeve më të zvogëluara dhe temperaturave më të larta. Prandaj, thotë ai, këto ndikojnë në thatësira dhe në mungesë të ujit, gjë me të cilën tashmë ballafaqohet Kosova. “Ky fakt u jep shumë rëndësi ujërave tejshtetërore, e sidomos Liqenit të Ujmanit, që tashmë është bërë pikë konflikti mes Kosovës e Serbisë. Ndonjë destabilizim i rrjedhës së ujit nga Ujmani do të kishte pasoja të menjëhershme në ekonominë dhe popullsinë e Kosovës. Gjithashtu, territori i kontestuar me Malin e Zi përmban disa burime të rrjedhës së Drinit, që mund të bëhen të rëndësishme në të ardhmen”, paralajmëron Bytyçi.

Ndryshimi klimatik më i rrezikshëm se terrorizmi

Pothuajse gjysma e evropianëve iu frikësohen më shumë ndryshimeve klimatike sesa humbjes së vendit të punës apo ndonjë sulmi terrorist, është bërë e ditur të enjten përmes studimit të Bankës Evropiane të Investimeve (EIB), teksa ligjvënësit e BE-së kanë shpallur “emergjencë të klimës”.

Vota simbolike nga ligjvënësit synonte të shërbente si presion për të vepruar kundër ngrohjes globale, në prag të samitit të ardhshëm të OKB-së.

Sondazhi i EIB-së me 30.000 të anketuar prej tridhjetë shteteve, përfshirë Kinën dhe SHBA-në, ka bërë të ditur se 47 për qind e evropianëve i konsiderojnë ndryshimet klimatike si rreziku numër një për jetët e tyre, më shumë sesa papunësia, migrimi i përmasave të mëdha dhe shqetësimet rreth terrorizmit.

“Qytetarët evropianë janë thellësisht të shqetësuar rreth ndryshimeve klimatike dhe ndikimit që kanë ato në jetën e tyre dhe të ardhmen”, ka thënë Emma Navarro, nënpresidente e EIB-së, përgjegjëse për veprim rreth klimës dhe ambientit. “Është interesante se shumica prej tyre janë optimistë se efektet e ndryshimeve klimatike do të mund të sprapsen. Fatkeqësisht, shkenca thotë ndryshe. Ne e kemi një mundësi sa i përket kufizimit të ngrohjes globale dhe zbutjes së efekteve të saj.

EIB-i, në pronësi të qeverive të Bashkimit Evropian, është institucioni më i madh huadhënës i botës dhe ka si detyrë financimin e investimeve të lidhura me ndryshimet klimatike, gjë që është prioritet për Komisionin e ri Evropian. Sondazhi, i pari prej katër të planifikuarve nga EIB, ka bërë të ditur se niveli i shqetësimit rreth ndryshimeve klimatike ishte madje edhe më i lartë në Kinë sesa në BE, derisa 73 për qind e respondentëve e shohin si rrezikun më të madh për shoqërinë, krahasuar me 39 për qind në SHBA, ku shumica e njerëzve shqetësohen më shumë rreth qasjes në shërbimet shëndetësore.

Studimi, po ashtu, ka bërë të ditur se 41 për qind e të rinjve evropianë të moshës 15 deri në 29 vjet, posaçërisht prej shteteve jugore, si Spanja, Greqia dhe Franca, mendojnë se duhet të zhvendosen në një shtet tjetër shkaku i ndryshimeve klimatike.

“Në tërësi, 82 për qind e evropianëve raportojnë se ndryshimet klimatike kanë ndikim në jetët e tyre të përditshme, një perceptim që mbërrin në 98 për qind në Kinë dhe 76 për qind në SHBA”, shkruan në studim.

Komisioni i ri Evropian, që e nis punën më 1 dhjetor, do që tërë Bashkimin Evropian ta bëjë zonë neutrale sa i përket lirimit të dyoksidit të karbonit nga 2050-a. Komisionit i duhet pëlqimi i të gjitha qeverive të BE-së para se objektivat e tilla të bëhen të detyrueshme.

Bashkëpunimi rajonal si domosdoshmëri

Bytyçi mendon se shtetet e Ballkanit do të duhej ta koordinonin përshtatjen me ndryshimet klimatike. Ai thotë se ujërat tejshtetërore dhe menaxhimi i tyre tashmë janë bërë pikë konflikti në disa rajone, si ujërat e Nilit dhe konflikti mes Etiopisë dhe Egjiptit, ujërat e Jordanit dhe të Detit të Galilesë, si dhe ujërat e Eufratit e Tigrit.

“Kosovës i duhet garanci se Serbia nuk do ta pengojë rrjedhën e Ibrit, si dhe garanci nga Mali i Zi se nuk do t’i shfrytëzojë burimet ujore, nëse territori 8200 hektarësh mbetet në territor të tij”, shprehet Bytyçi, duke shtuar se edhe Kosova duhet t’iu japë garanci shteteve fqinje se nuk do t’i bllokojë rrjedhat e lumenjve që rrjedhin edhe në shtetet fqinje.

Kosova po shfrytëzon burimet ujore për hidrocentrale, por qyteti i Gjilanit është përballur gjatë muajve të verës dhe vjeshtës me reduktime të ashpra për shkak të uljes së nivelit të Liqenit të Përlepnicës.

Operimi i 14 hidrocentraleve të vogla dhe 21 të tjerave që janë në fazën e ndryshme të procesimit, pa analizë të mirëfilltë ujore dhe mjedisore, përveç dëmtimit të ekosistemeve dhe biodiversitetit, po e rrezikon edhe rendimentin bujqësor. Sipas organizatave të shoqërisë civile dhe njohësve të çështjeve të mjedisit, institucionet janë duke shkaktuar “krim mjedisor”, duke lëshuar licenca dhe autorizime për ndërtim dhe operim të këtyre hidrocentraleve. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Zyra e Rregullatorit, si dhe mekanizmat e tjerë kanë dështuar që të sigurojnë se projektet i respektojnë standardet mjedisore dhe obligimet ligjore që kanë. Kompanitë në shumicën e rasteve kanë abuzuar me licencat dhe nuk i kanë respektuar kontratat. Kjo ka hasur në kundërshtim të banorëve, të cilët përmes protestave të shumta janë munduar që të kundërshtojnë ndërtimin e këtyre hidrocentrale.

Stagova thotë se duke i marrë parasysh këto dhe faktet e tjera, si distribuimi natyror joproporcional i resurseve ujore në fushat e Dukagjinit dhe të Kosovës në relacion jo të drejtë me shpërndarjen e popullsisë kosovare, planifikohet që brenda 10 vjetëve Kosova të hyje në listën e vendeve me stres të ujit.

“Në plan afatgjatë mund të priten rënie-ngritje të paparashikueshme të nivelit të ujërave të lumenjve të Kosovës, që do të ketë ndikim në shfrytëzimin e planifikuar të tyre për nevoja të konsumit të drejtpërdrejtë (për pije dhe nevoja esenciale për amvisëritë, bizneset, industritë, etj.)”, thekson ai. Sipas Stagovës, ndikimi më i madh dhe vendimtar do të jetë në shfrytëzimin e ujërave për bujqësi, që është esencial për sigurimin e ushqimit për qytetarët. “Për bujqësi nevojitet sasi më e madhe e ujërave. U përmend që në këtë mes problemin e shumëfishon fakti i hidrocentraleve të planifikuara në resurset edhe ashtu të limituara ujore në Kosovë”, shton Stagova.

Ekspertët dhe njohësit e ndryshimit klimatik vlerësojnë gjithashtu se ndryshimi klimatik do të përfshijë ngritje të shkallës së migrimit, pasiguri ushqimi, reduktim të kulturave bujqësore e mungesë të burimeve ujore. A rrezikon Kosova të preket nga pasoja të ngjashme shkaku i ndryshimit klimatik?

“Po, Kosova tashmë vuan nga mungesa e ujit, sepse kryesisht varet nga reshjet për ujë të pijshëm. Dhe sigurisht se me pakësimin e reshjeve do të ketë mungesë të ujit. Me ngritje të temperaturave do të ketë avullim më të madh nga rezervuarët dhe në përgjithësi uji i disponueshëm do të zvogëlohet si për pirje edhe për bujqësi”, thotë Bytyçi, duke shtuar se kjo gjendje mund të ndikojë në pasiguri ushqimore dhe në dëme në bujqësi. “Sa i përket migrimit, tashmë kemi parë migrimin e refugjatëve nga Siria, që është një konflikt i ndikuar fort nga ndryshimet klimatike. Por mund të ketë edhe migrim të brendshëm si pasojë e mungesës së ujit, si dhe migrim tejkufitar. Mënyra e ballafaqimit me fluksin e të ikurve nga tërmeti në Shqipëri do të jetë një test për institucionet e Kosovës, që duhet ta informojë ngritjen e kapaciteteve për përshtatje me ndryshimet klimatike”.

Shkalla alarmuese e ndotjes

Azemi alarmon edhe për shkallën e lartë të ndotjes në Kosovë. Ai mendon se Kosova duhet të ketë kontroll të rreptë të ndotësve që emetojnë gazra serrë në atmosferë.

“Për fat të keq, institucionet tona merren me telashet e ndotjes vetëm gjatë muajve të ftohtë, kur edhe vendi ngufatet dhe tërë koha kalon duke treguar problemin, por jo duke adresuar atë në mënyrë strategjike, që do të parandalonte gjendjen me të cilën po përballemi çdo vit”, thotë Azemi. “Prandaj, vlerësojmë se qasja e institucioneve nuk ka qenë proaktive në këtë aspekt dhe nuk është bërë sa duhet për të parandaluar ndotjen e ajrit me veprimet konkrete, që do të përmirësojnë gjendjen”.

Emërues i përbashkët i të gjithë ndotësve industrialë është rrezikimi i shëndetit të popullatës së ekspozuar ndaj tyre. Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike kanë thënë për gazetën që pasojat shëndetësore varen nga lloji i ndotësit, doza e tij, kohëzgjatja e ekspozimit dhe nga rruga e depërtimit të tyre në organizëm – ajri, uji, ushqimi. Kategoritë më të ndjeshme, sipas Institutit, janë të moshuarit, fëmijët, të sëmurët kronikë, shtatzënat, të varfrit dhe personat me imunitet të komprometuar.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 97 për qind e vendeve që për nga kushtet socio-ekonomike të ulëta dhe me qytete me popullatë më të lartë se 100 mijë banorë fatkeqësisht nuk i plotësojnë kriteret e OBSH-së për ajër cilësor dhe karakterizohen me ajër të kontaminuar. Në shtetet më të zhvilluara, kjo përqindje bie në 49 për qind

“Ndotja e ajrit, niveli i emisionit të pluhurit nga tymtarët e termocentralit ‘Kosova B’, është shumëfish më i lartë sesa që është përqendrimi maksimal i lejuar me rregullativa të BE-së. Rreth shtatëqind mijë qytetarë që jetojnë në një zonë të ngushtë, nën ndikimin e tyre, do të vazhdojnë të thithin shumë tym, më pak ajër”, thuhet në një pankartë të vendosur në ekspozitën “Ekologji(k)a kosovare” në auditoriumin e Fakultetit të Arkitekturës. “71 për qind e automjeteve në qarkullim janë më të vjetra se pesëmbëdhjetë vjet”, është e dhëna e Qendrës së Automjeteve të Kosovës, varur në të njëjtën sallë. Në tjetrën, krah saj e përballë dritareve – në secilën prej tyre është shkruar nga një shkronjë e fjalës ‘Europa’”, shkruan: “72 për qind e automjeteve në qarkullim janë nën standardin EURO 4”.

Hajrulla Çeku, deputet i ri në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se kur i dëgjon zyrtarët e lartë të Kosovës, më shumë duken si aktivistë sesa si persona përgjegjës për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.

“Kur konstatohet se shteti është i pafuqishëm me mjedisin, unë mendoj se shteti është shumë i fuqishëm kundër mjedisit”, ka thënë Çeku në debatin pas hapjes së ekspozitës “Ekologji(k)a kosovare”. Ai ka thënë se shteti i mbron interesat e biznesmenëve të afërt me partitë politike deri tani në pushtet. Kjo është dëshmuar me të dhëna të mbledhur nga organizata joqeveritare. Numri më i madh i gurthyesve që degradojnë mjedisin janë donatorë të PDK-së dhe AAK-së, thuhet nëpër të dhënat e varura poshtë dritareve me mbishkrimin “Europa”.

“Mungon koordinimi. A mungon rastësisht? Jo. Mundon qëllimisht”, ka thënë Çeku, duke paralajmëruar se në programin e partisë së tij është parashikuar moratorium aktiviteteve biznesore që dëmtojnë mjedisin.

Çeku ka kujtuar se Kosova zor se do të arrijë t’i zbatojë kushtet mjedisore që është zotuar t’i zbatojë me Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian.

“Gjendja është katastrofale, alarmante”, ka thënë Çeku, duke folur për ndotësit e ndryshëm që kontribuojnë në emetimin e gazrave serrë.

Pasojat në shëndet

Një studim i Bankës Botërore thotë se ekonomitë familjare konsumojnë përafërsisht 48 për qind të të gjithë energjisë në Kosovë, dhe se 45 për qind e kësaj energjie të konsumuar vjen nga djegia e druve. E sipas një studimi tjetër, i realizuar nga Food And Agriculture Organization of the United Nations (FAO), ekonomitë familjare konsumojnë 2.054.420 metra kub dru në vit. FAO gjithashtu ka vlerësuar se konsumimi i druve nga sektori i turizmit, që nënkupton djegien e tyre nga restorantet, hotelet, furrat e bukës dhe fast-foodet, është 183.321 metra kub dru në vit.

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në një studim të publikuar në qershorin e sivjetmë ka shtruar nevojën që komunat të vendosin kontroll më të rreptë të ngrohjes së familjeve, duke vënë në punë më shumë inspektorë, duke ndaluar djegien e linjitit në stufa, duke gjobitur për djegien e qymyrit dhe mbeturinave, si dhe duke investuar në energji të ripërtëritshme dhe në sisteme të ngrohjes qendrore. Aty është përllogaritur edhe kostoja nga ndotja e ajrit, ku kontribuojnë edhe djegia e druve dhe e thëngjillit. “Në total, vdekjet e parakohshme dhe sëmundjet kronike të shkaktuara nga ndotja e qymyrit të Ballkanit Perëndimor iu kushtojnë të dy sistemeve, si shëndetësor, ashtu edhe atij ekonomik, diku mes 6.1 dhe 11.5 miliardë euro”, thuhet në studim. “Në Kosovë kostoja e efekteve shëndetësore të shkaktuara nga ndotja e ajrit në zonat urbane ka ndikim që mendohet se varion nga 37 në 158 milionë euro në vit, e barabartë me 0.89 deri në 3.76 për qind të GDP-së së vendit”, thuhet në studim.

Azemi thotë se shkalla e lartë e ndotjes në Kosovë është pasojë e termocentraleve. Ai thotë se krejt makineria e nxjerrjes së lëndës dhe përpunimit e djegies së saj është tepër e vjetërsuar.

Shpërfillja e çështjes së ndotjes së ajrit nga institucionet vihet në pah edhe këtë vit nga statistikat alarmuese të kualitetit të ajrit. Ato shfaqin nivel shumë shqetësues të ndotjes, veçanërisht në zona urbane si Prishtina, Fushë- Kosova, Obiliqi e Mitrovica. Indeksi i cilësisë së ajrit, i matur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë gjatë kësaj jave ishte në nivelin “i pashëndetshëm”.

Vendosja në kryeqytet e katër monitorëve ku qytetarët mund ta shohin nivelin e ndotjes së ajrit ka nxitur reagime muajin e kaluar. Këta monitorë të instaluar në katër lokacione të ndryshme janë pjesë e projektit të bashkëpunimit teknik të JICA-s - “Projekti i zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Republikën e Kosovës - në vlerë 4 milionë euro.

Ekspertët e çështjeve mjedisore kanë vlerësuar se koncentrimi i madh i aktiviteteve vetëm në monitorim dhe në raportim pa aktivitet reagimi nuk jep efekt. Themelimi i task-forcave nga ana e Qeverisë për trajtimin e çështjes së ajrit të ndotur sipas tyre, nuk prodhuan rezultate të prekshme përveç zhurmës mediale, arsyetimit të dështimeve dhe shpenzimit buxhetor.

Kosova zë vendin e pestë në botë për nga rezervat e linjitit. Por mbështetja në qymyr për prodhimin e energjisë elektrike ka dhënë efekte negative. Sipas analizave vendore dhe ndërkombëtare, burimi kryesor i ndotjes në Kosovë është Korporata Energjetike e Kosovës me dy termocentralet e saj me thëngjill që ndodhen në Obiliq dhe që janë aktive gjatë gjithë vitit. Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) në një analizë të tij, tregon se këto termocentrale kontribuojnë vazhdimisht në ekspozimin e popullsisë ndaj dyoksidit të karbonit, dyoksidit të sulfurit, dyoksidit të nitrogjenit, plumbit, pluhurit, tymit. Ndotja e shkaktuar nga këto termocentrale prek një hapësirë të gjerë. Përveç Obiliqit, nga to pësojnë edhe Prishtina e Fushë-Kosova. Më 2 shtator të këtij viti, një tym i zi doli nga një nga oxhaqet e termocentralit të KEK-ut, duke shpërndarë një re të hollë njëtrajtshëm sipër qytetit, kishte shqetësuar qytetarë të shumtë.

Shumëkush shpreson se gjendja do të përmirësohet si rezultat i masave kushtëzuese të Bashkimit Evropian për shtetet që aspirojnë anëtarësimin, megjithëse deklaratat e fundit të presidentit francez, Emmanuel Macron, kanë zbehur shpresat për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor në të, në një të ardhme të afërt në bllokun evropian të goditur nga shumë sfida evropiane e globale.

Vetë Bashkimi Evropian e ka pranuar gjatë javës se mbase nuk do t’ia dalë të përmbushë qëllimin për reduktimin e gazrave serrë deri më 2030, që konsiderohet goditje e fuqishme për Evropën që synon të valojë flamurin e lideres botërore në luftën kundër ndryshimit klimatik.