Arbëri

Dikur fëmijë refugjat në Shqipëri, Albin Morina pas tërmetit u rikthye atje si infermier për të ndihmuar

Descriptive Text

Tiranë, 5 dhjetor- Gjatë Luftës së Kosovës, Albin Morina ishte refugjat në Shqipëri, ndërsa sot pas 20 vitesh u rikthye duke dhënë kontributin e tij si infermier për familjet e prekura nga tërmeti.

Me një mirënjohje të thellë ndaj solidaritetit të treguar nga shqiptarët e Shqipërisë në vitet e luftës, të cilët çelën dyert e shtëpive për t’i strehuar, njëzet e tre vjeçari nga fshati Bratotin i komunës së Rahovecit në Kosovë, vendosi të rikthehej pas 20 -vitesh, i prekur shumë nga ato që ndodhën në sofrën e tij të vjetër, por tani si shërbyesi i saj.

“Si infermier vendosa që t’i shërbej njerëzve e zemrave që kishin më shumë nevojë për mua, familjeve të prekura nga tërmeti. Mbërritëm që ditën e parë, më 26 nëntor dhe ofruam shërbime mjekësore, dhamë gjithçka nga vetja të shoqëruar me fjalë të ëmbla që t’iu ngrohnim shpirtrat e t’iu lehtësonim sadopak vuajtjet e të gjithëve, që u prekën nga ai tërmet. Ishin të pikëlluar, dhimbja tyre ishte edhe dhimbja jonë. Me një buzëqeshje që lufton e shkëlqen mes lotëve, lutem për të gjithë ata që vdiqën dhe të gjithë ata që u preken nga tërmeti. Por, të mos e harrojmë që gjatë historisë armiqtë na kanë lëkundur për të na përçarë. Ky termet na lëkundi për të na bashkuar”, -tha Albini për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Ai rrëfen se ishte vetëm 3 vjeç kur u detyrua të largohej nga Kosova dhe se ditët e para së bashku me familjen e tij, i kaluan në Kukës për të vazhduar më pas për në Hamallaj të Durrësit.

“Lufta kishte filluar tashmë që në vitin 1998 duke shfaqur format më të rënda të genocidit, i cili sa herë vinte e përkeqësohej andaj as liria e as jeta nuk ishin më të sigurta. U dëbuam nga shtëpitë e të parëve tanë e në vendin tonë na konsideronin të huaj. Pas shumë sfidash që mund të na rrezikonin jetën, ne ishim vetëm 4 anëtarë. Unë sa kisha mbushur tre vjeç dhe vëllai akoma nuk kishte mbushur një vjeç. Mbaj mend që, në datë 6 maj 1999 u nisëm për të kaluar kufirin për në Shqipëri, një kufi ky që ekzistonte për mendjen, por jo për zemrat tona, se përtej atij kufiri pamë duar e zemra të vëllezërve shqiptarë të gatshëm të solidarizoheshin e të na e ngrohnin shpirtin pas tërë atyre rrënimesh, ndjenjash e traumash”, tregon Morina.

Ai thotë se “ditët e para i kaluam në Kukës për të vazhduar më pas për në Hamallaj të Durrësit për t’iu bashkuar kampit ushtarak spanjoll që kishin ngritur tendat e kishin hapur zemrat për Kosovarët. Aty u pajisëm edhe me letërnjoftimet e kampit. Babai im ishte mësues andaj mori iniciativën së bashku me kryesuesit ushtarakë spanjollë të çelnin një shkollë të improvizuar për të gjithë fëmijët. Ky kampus dhe kjo shkollë u vizituan edhe nga kryeministri i atëhershëm i Spanjës, H.M.Aznar, kujtim ky që është i ruajtur në një fotografi që vazhdojmë ta mbajmë e ta rikujtojmë”.

“Nga ajo që më kanë rrëfyer prindërit, unë isha nga fëmijët më të dashur në kamp, ndoshta sepse nga pak ato gjëra që morëm më vete, shpresa për t’u rikthyer në shtëpi peshonte më se shumti, e unë këtë shpresë e ilustroja me buzëqeshjen e pastër fëmijërore. Qëndruam në këtë kamp 6 javë, në ankth për familjen që kishte mbetur në Kosovë e mirënjohës për dashurinë e ndihmën që na ofruan të gjithë vëllezërit tanë shqiptare. U rikthyem një ditë në Kosovë, por matanë atij kufiri që vetëm kishte zënë rrugën, bëra një premtim: do të rikthehem edhe njëherë për të gjetur historinë e vetvetes”, – u shpreh Albin Morina.

Mes emocionesh, ai shprehet se vendosi të rikthehet në shtëpinë e vjetër, ku mes dhimbjes së dëbimit nga Kosova, zemra e tij u ngroh nga dashuria e mikpritja e shqiptarëve.

“Pas 20 -vitesh, i prekur thellësisht nga ato që ndodhën, vendosa të kthehem ne sofrën e vjetër, por tani si shërbyesi i saj. Unë momentalisht punoj në cilësinë e asistent Profesorit në Kolegjin AAB, vend ky që pasqyron vlera të larta të humanitetit. Duke parë nevojën, vendosëm të dalim në ndihmë, vendosëm të bashkoheshim me ata që mbartin gjakun tonë. Si infermier vendosa që t’i shërbej njerëzve e zemrave që kishin më shumë nevojë për mua, familjeve të prekura nga tërmeti. Mbërritëm që ditën e parë, në 26 nëntor dhe ofruam shërbime mjekësorë, u qëndruam pranë me fjalë të ëmbla që t’ju ngrohnim shpirtat e t’iu lehtësonim sadopak vuajtjet të gjithëve që u prekën nga ai tërmet. Ishin të pikëlluar, dhimbja tyre ishte edhe dhimbja jonë. Me një buzëqeshje, që lufton të shkëlqejë mes lotëve, lutem për të gjithë ata që vdiqën dhe të gjithë ata që u preken nga tërmeti. Por, të mos e harrojmë që gjatë historisë armiqtë na kanë lëkundur për të na përçarë. Ky tërmet na lëkundi për të na bashkuar. Sa shumë do të doja të kisha një fjalë tjetër por nuk ka fjalë më të bukur se: Faleminderit Shqipëri. Jemi një, gjithmonë kemi qenë të tillë”.

Albini tregon për ATSH-në se e pyetën dikur se çfarë do të bënte nëse do të prekte majat, dhe ai u kish’ dhënë këtë përgjigje: do të zgjas dorën time që të ngre edhe të tjerët/ATSH.