Arbëri

Kurti takon Weberin, bisedojnë për prioritetet e qeverisë së re

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, priti në takim Kryetarin e Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, ku u bisedua për procesin zgjedhor dhe rezultatin e këtij procesi.

VV thotë se Weber u interesua për rezultatin e bisedimeve me LDK-në, dhe theksoi se “rajoni i Ballkanit Perëndimor, ndryshe nga zhvillimet e fundit ku disa shtete shprehën qëndrime të caktuara për hapjen e negociatave, është rajon me prioritet të lartë për BE-në”.

Kurti ndërkaq është pajtuar me Weberin sa i përket integrimit të rajonit në BE, dhe ka përsëritur qëndrimin e VV-së për nevojën e integrimit të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në të njëjtën kohë dhe sa më parë që të jetë e mundur.

Kreu i VV-së e ka njoftuar Weberin edhe me prioritetet e qeverisë së re, “ku rol qendror ka luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë dhe krijimi i vendeve të reja të punës”.

“Me mbështetjen e biznesit të vogël dhe të mesëm dhe me investime nga jashtë e sidomos nga diaspora, me sistemin dual të arsimit që e zvogëlon hendekun e shkathtësive, edhe do ta përparojmë Kosovën përbrenda, edhe do të avancojmë drejt BE-së”, tha Kurti.

Në fund të takimit, palët u dakorduan ta vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin në të ardhmen.