Arbëri

Emini: Problemi më i madh për marrëveshjen VV-LDK do të jetë MPB

Donika Emini, drejtoreshë në CiviKos, në Rubikon të KTV-së ka thënë se çështja e Ministrisë së Punëve të Brendshme do të jetë problemi më i madh për marrëveshjen ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së për formimin e koalicionit qeverisës.

Sipas saj këto dy parti ideologjikisht janë të ndryshme.

"Kjo ka qenë veç eufori. Është mirë që është diskutuar për objektiva mirëpo unë e kam parë problem se këto dy parti ideologjikisht janë shumë të ndryshme, gjatë kampanjës zgjedhore ka pasur tendenca që të jenë më të ngjashme mirëpo shembull në dialogun nuk ka pasur dakordim", ka thënë Emini.

Sipas saj, duhet të kihet parasysh se VV dhe LDK, ndonëse me një deputet diferencë, pothuajse janë të njëjta.

Emini tha se përveç objektivave, dihet se LDK i takon një mendësie e cila tradicionalisht ka pasur synimin te ndarja e posteve.

"Duhet me marrë parasysh që janë pothuajse të njëjtë, normalisht VV është fituese mirëpo e ka vetëm një deputet më shumë", ka thënë Emini. "Kur flitet për dy parti që po donë me çkapë shtetin, prapë po flitet për pozita, për lakminë që partia e tyre me marrë poste më shumë. Mendoj që Ministria e Punëve të Brendshme ka me qenë problemi më i madh".

Sipas saj tashmë Vetëvendosje e ka diskutuar emrin për Ministrinë e Brendshme.

"Deri aty ka shkuar ambicia sa VV e ka diskutuar edhe emrin se kë duan ta bëjnë ministër të Punëve të Brendshme".

Image