Arbëri

OSHP-ja e diskualifikoi operatorin ekonomik “Fadi Com SHPK” se falsifikoi dokumentet

Fshehja e borxheve ndaj shtetit i ka kushtuar me diskualifikim 6-mujor, nga të gjitha proceset e prokurimit në Kosovë, kompanisë, Fadi Com SHPK.

Organi Shqyrtues i Prokurimit është bindur se falsifikimi i vërtetimit të ATK-së nga ky operator, për çka raportoi muajin e kaluar KTV-ja, duhet të sanksionohet dhe të futet në listën e zezë të kompanive problematike, raporton KTV.

Vendimi është marrë në seancën e së martës të OSHP-së dhe gjithashtu, është diskualifikuar edhe një kompani tjetër që ishte në konzercium me Fadi Com.

“Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, shqyrtimit të kërkesës së AQP-së, dhe arsyeshmërisë së dhënë, deklarimit të palëve, dhe pasi ka shoshitur të gjitha provat në tersi, konstatohet se kërkesa e AQP-së për diskualifikim të konzerciumit “Alfa Group SHPK dhe Fadi Com”, është e bazuar për faktin se operatori ekonomik nuk ka arritur të ofrojë prova bindëse para panelit shqyrtues për të dëshmuar se vërtetimi i ATK-së, i ofruar në AK-AQP nuk është i falsifikuar”, thuhet ndër të tjera në vendimin e OSHP-së.
 

Futjen në listën e kompanive të papërgjegjshme për këtë konzorcium e ka kërkuar para shumë kohe Autoriteti Kontraktues, Agjencia Qendrore e Prokurimit Publik, po pavarësisht këtij falsifikimi, OSHP-ja kishte vazhduar të mbrojë operatorin ekonomik, duke urdhëruar AQP-në që ta vazhdonte procedurën e prokurimit për tenderin 3-milionësh për fruta e perime, në të kundërtën, e kishte paralajmëruar atë se do ta gjobiste dhe do t’ia merrte licencën e menaxherit të prokurimit të saj.

Për këtë, KTV-ja ka raportuar muajin e kaluar dhe menjëherë kishte reaguar edhe Policia e Kosovës, duke dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit kallëzimin penal për operatorin “Fadi Com” SHPK, i cili falsifikoi një dokument të ATK-së, për t’i fshehur borxhet që i kishte ndaj shtetit, çka i mundësoi aplikimin për tender.

Lajmin për KTV-në e kishte bërë të ditur Policia e Kosovës. Kallëzimi penal ka ardhur si shkak i raportimit të këtij rasti nga AQP-ja në ATK. E kjo e fundit, kishte kërkuar hetim penal.