Qeveria planifikon të formojë ekip emergjent për strehimin e të ardhurve nga Shqipëria pas tërmetit

Valbona Bytyqi 03 December 2019 19:09

Qeveria e Kosovës e ka në plan të formojë një ekip për të menaxhuar për strehimin e personave të ardhur nga Shqipëria pas tërmetit të 26 nëntorit.

Në bazë të një draft-vendimi të siguruar nga Kohavisioni, ekipi i cili do të merret me sistemimin e qytetarëve të zhvendosur, do të koordinojë punët rreth kësaj çështjeje dhe do të ofrojë ndihmën e nevojshme.

Pjesë e këtij ekipi, sipas këtij draft-vendimi, do të jenë përfaqësues nga Zyra e kryeministrit, nga Policia e Kosovës, komunat ku janë strehuar personat e prekur nga tërmeti në Shqipëri e përfaqësues nga ministri si ajo e Shëndetësisë, e Punëve të Brendshme, e Administrimit të Pushtetit Lokal e të tjerë, raporton KTV.

Por, Zyra e kryeministrit nuk ka mundur të konfirmojë nëse ky draft do të shndërrohet në vendim, duke thënë se i kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme.


“Nuk e di për çfarë vendimi bëhet fjalë, ne jemi qeveri në dorëheqje në këtë rast dhe është ndërmarrë çfarëdo që është dashur nga institucionet tona”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së kryeministrit.

Por, KTV-ja ka mësuar nga burime të afërta me zhvillimet, se vendimi nuk po merret sepse disa nga ministrat e Qeverisë në detyrë kanë refuzuar të takohen në një mbledhje të Qeverisë për ta marrë këtë vendim.

Themelimi i një komisioni të tillë, ka qenë kërkesë edhe e organizatave joqeveritare që janë marrë me personat e prekur nga tërmeti në Shqipëri.

Organizata të shoqërisë civile kanë reaguar pas deklaratës së kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili tha se individë të caktuar janë duke keqpërdorur situatën e krijuar.

Në reagimin e më shumë se 35 organizatave të shoqërisë civile, kërkohet nga Qeveria që në vend të akuzave ndaj tyre, të marrë përgjegjësitë e veta dhe të menaxhojë situatën e krijuar.

“Ia rikujtojmë kryeministrit dhe Qeverisë në largim që përgjegjësia për menaxhimin e kufijve të Kosovës është e institucioneve publike; Ashtu siç është edhe përgjegjësia për të bashkëpunuar me autoritetet e Shqipërisë për identifikimin e rasteve të keqpërdorimeve nga qytetarët e Shqipërisë; Ashtu siç është edhe përgjegjësia për të marrë nën përkujdesje edhe të tjerët jashtë kampit dhe gjimnazit në Prizren; Ashtu siç është edhe përgjegjësia e vendosjes e zbatimit të kritereve përkatëse; Ashtu siç është edhe përgjegjësia për të regjistruar të gjithë të zhvendosurit”, thuhet ndër të tjera në reagimin e shoqërisë civile.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme