Bregu: Koha që të ketë një qëndrim të qartë për procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor

Bregu: Koha që të ketë një qëndrim të qartë për procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor

03 December 2019 18:19

“Koha për t’i dhënë fund shtirjes! BE-ja duhet të respektojë Traktatin e vet e të ketë një qëndrim të qartë për procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor. Falënderojmë Presidenten Ursula von der Leyen të Komisionit Evropian që ka artikuluar vizionin e Evropës si kontinent. Ne shpresojmë që ky do të jetë objektivi dhe qasja e të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Ndërsa ne në rajon duhet të përveshim mëngët e të përmbushim tërësisht objektivat e reformave tona, duke lënë mënjanë hidhërimin dhe zhgënjimin që ekziston në rajon”, tha Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal, Majlinda Bregu, gjatë çeljes së konferencës ndërkombëtare të nivelit të lartë për të ardhmen e Ballkanit të quajtur “Për të vallëzuar duhen dy vetë: Ballkani Perëndimor ndërmjet shpresës dhe realitetit”, organizuar në Bruksel sot nga organizata “Miqtë e Evropës”.

“Ky moment është ndoshta kriza më e madhe në marrëdhënien politike ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që prej vitit 1999. Që prej këtij momenti e deri në samitin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor, të gjithë do të presin me padurim marrjen e vendimit nga BE-ja, por kush mund të garantojë që reformat do të nxiten me forcë dhe seriozitet? Unë shpresoj shumë që vendimi jo vetëm për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, por edhe për të ardhmen e të gjithë procesit të integrimit dhe të anëtarësimit të vendeve të tjera të rajonit, të mos ndikojë së tepërmi e të zhgënjejë administratën publike, e cila më shumë se organet e tjera duhet të jetë e motivuar për të ecur përpara me reformat”, ka thënë Bregu.

Bregu përfundoi fjalën e saj duke u shprehur se “pavarësisht faktit që rajoni ka pritshmëri të mëdha nga Presidenca kroate e Këshillit të BE-së, nuk do të tregoheshim të zgjuar apo me vizion, në rast se do të prisnim që vetëm Kroacia, Gjermania apo Franca do të mund ta ndryshonin drejtimin e erërave të ftohta që po fryjnë në Ballkan”.

“Megjithatë në rast se ne nuk shpalosim përparim të besueshëm në procesin e anëtarësimit, do të na kthehet bumerangu, do të bjerë oreksi për reforma, do të rritet konflikti ndërpartiak e do të ketë mungesë stabiliteti”, deklaroi ajo.

Sekretarja e Përgjithshme shtoi se me anën e qasjes gjithëpërfshirëse ne duhet të mendojmë se si do të krijohet një shtysë e re për ta rigjallëruar procesin, duke ofruar stimuj të tjerë e duke mos krijuar pengesa të reja.

Bregu theksoi rëndësinë e rinisë dhe lidhjes me perspektivën e tyre dhe perspektivën e BE-së për rajonin.

“61% e të rinjve në rajon e mbështesin integrimin në BE, por në të njëjtën kohë e njëjta përqindje të rinjsh është e gatshme të largohet, në rast se nuk shikojnë arritje të qarta apo përmirësime në standarde në vendet e tyre. Në këtë zonë ekonomike rajonale duhet t’u japim të rinjve mundësinë të udhëtojnë lirshëm brenda rajonit. Prandaj ne kemi punuar fort që të njihen diplomat dhe kualifikimet profesionale në rajon, sipas modelit të BE-së. Kjo u jep shansin të rinjve që, po të duan, të shkojnë në një vend tjetër të rajonit për të punuar. Kjo është, po ashtu, edhe mënyrë e mirë për të luftuar papunësinë dhe rrjedhjen e trurit”, u shpreh Bregu.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme