Pupovci: Përgjegjësia politike për gjendjen në arsim bie mbi Ministrinë, të rritet llogaridhënia

Pupovci: Përgjegjësia politike për gjendjen në arsim bie mbi Ministrinë, të rritet llogaridhënia

03 December 2019 17:59

Njohësi i çështjeve të arsimit në vend, Dukagjin Pupovci ishte i ftuar në “Express Intervistën” në KTV me ç’rast u diskutua për rangimin e Kosovës në PISA.

Kujtojmë se nga testimet në PISA në matematikë, lexim dhe shkencë Kosova është në mesin e tri më të dobëtave. Vetëm Filipinet dhe Republika Dominikane qëndrojnë më keq.

Por, ky rezultat nuk e ka befasuar Pupovcin.

“Mendoj se ky rezultat nuk ka qenë i befasishëm edhe pse e njohim gjendjen e arsimit. Nuk janë bërë përmirësime në arsim. Puna me libra të vjetra mund të jetë njëri nga faktorët, por ajo më kryesorja është mungesa e papërgjegjësisë. Në Kosovë nuk është se nuk ka strategji e plane për përmirësimin e situatës në arsim, por ato nuk aplikohen”, ka thënë ai.

Ai thotë se duhet të ketë vlerësim të performancës së mësimdhënësve, e jo ata t’u nënshtrohen testeve.

“Vlerësimi i performancës nuk parasheh që mësimdhënësi t’i nënshtrohet testit, por që të monitorohet performanca e tyre, e kjo sipas legjislacionit duhet të bëhet çdo pesë vjet. Nuk është shumë e arsyeshme që profesorët të iu nënshtrohen testeve, por vlerësim të performancave do të mund të bëhen”, ka thënë ai.

Popuvci thotë se përgjegjësia është kolektive, megjithatë ajo politike bie mbi Ministrinë e Arsimit dhe mbi komunat.

“Nuk ka asnjë dyshim se përgjegjësia bie mbi Ministrinë e Arsimit dhe komunat, të cilat kanë fuqi mjaft të madhe. Do të ishte shumë e thjeshtësuar nëse e vëmë fajin vetëm te individët, por përgjegjësia është më kolektive, duke filluar edhe nga prindërit e shoqëria civile. Përgjegjësia politike shkon te Ministria”, deklaroi Pupovci.

Ai thotë se duhet të ketë inspektime në shkolla, e mbështetje më të madhe për mësimdhënësit.

“Rritja e pagave që ka ndodh në 10 vitet e fundit ka ndikuar në zvogëlimin e buxhetit të shkollave. Mësimdhënësit gjatë kësaj periudhe nuk kanë pasur asnjë mbështetje, shumë shkolla kanë probleme edhe me gjëra elementare, madje nuk kanë as fotokopje. Ka munguar inspektimi i shkollave. Në këtë aspekt bie një pjesë e përgjegjësisë te shkolla, por çfarë ka bërë shteti për t’i mbështetur ato”, ka thënë ai.

Sipas Pupovcit edhe emërimi në baza partiake ka ndikuar në këtë gjendje të arsimit.

“Në shumë raste drejtorët emërohen mbi baza të përkatësisë politike, fatkeqësisht. Kryetarët e komunave e kanë komoditetin që të mbajnë ata drejtorë që janë militantë partiakë. Nxënësit në gjimnaze performojnë më mirë se ata të shkollave fillore ose atyre profesionale, por ato në gjimnaz kanë një vit më tepër. Suksesi i nxënësve është kombinim i shumë faktorëve, është edhe gjendja që e ka në shtëpi. Në ato shtresa sociale ku qëndrojnë më mirë materialisht mund të ketë hapësirë ku të punojë edhe në shtëpi”, ka thënë Pupovci.

Ai ka theksuar se gjithashtu situata qëndron më mirë në shkollat në qytet se ato në fshatra, derisa thekson se duhet të synohet që në Kosovë të përmirësohet sektori publik, e jo ai privat, pasi 95 për qind janë në sektorin publik.

Pupovci thotë se vendet e rajonit qëndrojnë më mirë se Kosova, e më befasuese është përmirësimi i Maqedonisë Veriore.

“Edhe Shqipëria qëndron shumë më mirë se Kosova, pasi në shkathtësitë e leximit nuk e kanë kaluar 78 për qind, kurse ata të Shqipërisë në 50 për qind. Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e të tjerat qëndrojnë më mirë se Kosova. E më së shumti përmirësim ka pasur Maqedonia, që duhet të shikohet se si ka arritur të bëjë këtë përmirësim të madh”, ka thënë ai.

Ai insiston se për ta përmirësuar gjendjen në arsim duhet të rritet llogaridhënia.

“E kemi një situatë më ndryshe, sepse Estonia është shumë më afër me Finlandës. Atje mësuesit janë profesionistët më të mëdhenj të fushës. Kurrikula në Ballkan është më preskriptive, pra te ne mësuesit e kanë një kulturë tjetër, e ndjekin planprogramin dhe librat. Ne duhet të punojmë në ngritjen e llogaridhënies. Investimet në arsim kthehen në ekonomi për vendin herët a vonë. Estonia nuk ka pasur ndonjë rritje, por ka pasur vazhdimësi dhe tani është e para në Evropë, pasi në botë është Kina”, u shpreh ai.

Ai thotë se duhet të ketë trajnime më të gjata për mësimdhënësit dhe monitorim e mbështetje për ta, pasi nuk iu mungon vullneti.

“Trajnimet te ne janë 3-4 ditë dhe ne aspak s’jemi të kënaqur me efektin e tyre. Ato trajnime vazhdojnë të mbahen vetëm derisa ne të jemi në shkollë. Shpesh ndodh që mësimdhënësit u kthehen metodave të vjetra, madje ato ditë trajnime duhet të jenë më të gjata për mësimdhënësit. Mësimdhënësit tonë janë mjaft të vullnetshëm për të marrë trajnime profesionale. Nuk është që ata i shmangen por konsideroj se ata përballen me mosmbështetje kur kthehen në shkollë”, u shpreh Pupovci.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme