AKP-ja po shkon drejt mbylljes

AKP-ja po shkon drejt mbylljes

01 December 2019 16:42

Shumë nga ndërmarrjet shoqërore të Kosovës, të cilat ishin privatizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), nuk kanë arritur të funksionalizohen dhe rrjedhimisht, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, po konsiderohen si të dështuara.

Sipas tyre, privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore nuk i ka arritur objektivat e veta ekonomike duke theksuar se ky proces duhet të përmbyllet sa më parë që të jetë e mundur.

Procesi i privatizimit ka filluar rreth 16 vjet më parë nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) që u pasua më vonë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Që nga kjo periudhë janë nënshkruar 1809 kontrata të privatizimit, me një vlerë financiare rreth 733 milionë euro, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, nga zyrtarë të Agjencisë së Privatizimit të Kosovës.

Sipas AKP-së, nga asetet e privatizuara deri më tash numri më i madh i tyre është blerë nga qytetarët e Kosovës, 1772 asete me një vlerë prej rreth 632 milion euro.

“Në këtë proces nuk ka munguar edhe interesimi i blerësve nga vendet e ndryshme të Evropës dhe botës. Rreth 37 prona me vlerë prej 101 milionë euro janë privatizuar nga investitorë të huaj. Investitorët nga Zvicra kanë privatizuar 9 asete me vlerë prej 32 milionë euro, për nga vlera financiare pason Greqia më 30 milionë euro me një ndërmarrje, pastaj investitorët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë privatizuar katër (4) ndërmarrje më mbi shtatë (7) milionë euro”, theksohet në përgjigjen e AKPS-së.

Ndërsa tetë (8) për qind e pronave të përgjithshme janë blerë nga qytetarët e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës me një vlerë prej mbi 57 milionë euro.

Pavarësisht këtyre shifrave, Mejdi Bkatashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se transformimi i pronësisë shoqërore në atë private është stërzgjatur dhe ka ndikuar shumë në stagnimin e zhvillimit ekonomik, por edhe në dekurajimin e investimeve të huaja në Kosovë.

“Mund të them se nëse e krahasojmë procesin e privatizimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, por jo edhe me shtetet tani ish-socialiste që janë në Bashkimin Evropian, ky proces lirisht mund të themi se është i dështuar pasi që një pjesë e madhe e ish-ndërmarrjeve shoqërore në vend që të angazhojnë kapacitete dhe të hapin vende të reja të punës, janë shndërruar në kantiere të ndërtimit për banesa apo për qëllime tregtare”, tha Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme