Arbëri

Ish-pjesëtari i UÇK-së kritikon institucionet, thotë se ka 8 muaj që s’e merr pensionin

Derisa tregon plagët që ka marrë si pjesëtar i UÇK-së, Musa Asllani nga fshati Rancë i Shtimes, numëron edhe 11 familjarët që iu vranë në luftë të mërkurën e 26 gushtit të vitit 1998.

Ish-pjesëtari i brigadës 121 “Kumanova”, ankohet se ka tetë muaj që nuk merr asnjë pension nga shteti, ndonëse është i pajisur me certifikatën e veteranit invalid, raporton KTV.

Ai thotë se deri në fillim të vitit, ka marrë një pension prej 170 eurosh në emër të bashkëshortes dhe vajzës 6-muajshe të vrarë, por ai i është ndalur kur ka aplikuar për pensionin e invalidit.

Më pas, nuk është pajtuar me shkallën e invaliditetit prej 10 për qind që ia ka caktuar komisioni mjekësor dhe thotë se ka aplikuar sërish.

Asllani, që është i papunë, thekson se nëse nuk i aprovohet kërkesa për pensionin e invalidit, do të pranonte të merrte vetëm pensionin e mëparshëm prej 170 eurosh.

Trupat e 11 familjarëve të tij pushojnë në krye të fshatit Rancë, derisa aty është vendosur edhe rimorkio e traktorit me të cilin po largoheshin në momentin kur tanku i armikut qëlloi mbi ta.