Arbëri

Dilema e akuza për 25 mijë dollarët e grumbulluara për “shqiponjën e Xhakës e Shaqirit”

Foto: Koha / ilustrim

Më shumë se 25 mijë dollarë që u patën mbledhur për pak orë nga shqiptarët për t’ia paguar gjobën e shqiptuar nga FIFA për Granit Xhakën e Xherdan Shaqirin, kanë ende një adresë. Janë në kuletën e Rilind Rekës, që bashkë me të tjerë mori iniciativën për grumbullimin e parave përmes Gofundme.com.

Që nga korriku i vitit të 2018, kur Zvicra refuzoi që t’i pranojë, për to nuk është gjetur destinim. 10 mijë dollarë i janë ndarë së fundi Shqipërisë, që kaloi tërmete shkatërruese këto ditë.

Rilind Reka i cili ishte iniciator i kampanjës, bashkë me të tjerë persona që i ndihmuan, patën premtuar që nëse Federata zvicerane e futbollit nuk do t’i pranonte paratë, ato do të destinoheshin për bamirësi. E ndonëse nuk u deshën më shumë se dy ditë që këto para të mblidhen, janë dashur më shumë se 1 vit të kuptohet për fatin e tyre. Lëkundjet e Shqipërisë e lëkundën edhe fondin.

Drin Zatriqi bashkiniciator me Rekën, i krijimit të kësaj kampanje, thotë se nuk ka asnjë informacion se çfarë ka ndodhur me paratë. Ai për Koha.net ka sqaruar se parimisht ishin pajtuar që fondi të jepet për bamirësi menjëherë pas grumbullimit të mjeteve, por se nuk e dinë pse kjo është vonuar aq shumë.

Zatriqi thotë se kohë pas kohe e kishin pyetur Rekën se çfarë po ndodh me paratë.

“Unë kam qenë ideator bashkë me të tjerë përfshi edhe Rilindin. Rilindi e ka marrë përsipër kampanjën, në xhirollogari të tij bankare në Gofundme. Parimisht të gjithë jemi pajtuar që fondi të jepet për bamirësi dhe menjëherë pas grumbullimit të mjeteve, por nuk i di arsyet pse kjo punë është vonuar kaq shumë. Herë pas here e kemi pyetur Rilindin dhe i njëjti është përgjigjur se është në proces t’i dhurojë ato para për çka edhe janë destinuar”, ka thënë ai.

Tutje Zatriqi shpjegon se ishin dhënë propozime se ku të dhuroheshin paratë.

“Kemi dhënë edhe propozime, tash herën e fundit ku ishin prezentë edhe të tjerët, kemi propozuar që ky fond të shkojë për gratë e Krushës. Pastaj e kemi pa një deklaratë të tij në Facebook me datë 30 gusht, që kishte thënë se paratë do të dhurohen në shtator”, ka thënë ai.

Ai thotë se nuk e dinte se Reka do t’i jepte 10 mijë dollarë për të prekurit e tërmetit në Shqipëri, duke shtuar se për këtë u informua nga Facebook-u. Zatriqi shton se nuk ka as ide për pjesën tjetër të mbetur të parave.

“Edhe unë si të tjerët e kemi parë në media që Rilindi i ka dhuru 10.000 dollarë nga ai fond për tërmetin në Shqipëri. Kurse unë nuk kam informacion edhe për 15.421 dollarë të tjerë. Kaq dimë ne të tjerët që ishim pjesë e kësaj kampanje. Unë dhe të tjerët që kemi kontribuar për këtë kampanjë plotësisht distancohemi nga veprimet ose mosveprimet e Rilindit me këtë fond”, ka thënë ai.

Koha.net ka tentuar të marrë një sqarim nga Reka, duke e kontaktuar edhe me telefon edhe përmes rrjeteve sociale, por i njëjti nuk është përgjigjur.

Reka përmes një postimi në Facebook në gusht të këtij viti pati dhënë sinjale për fondin.

“Të nderuar miq, ju njoftoj se pas një viti takimesh dhe bisedash, gjatë muajit të ardhshëm do ju njoftoj për përfituesin e mjeteve të grumbulluara për pagesën e dënimit të UEFA-s për futbollistët e reprezentacionit të Zvicrës - bashkatdhetarët tanë. Pasi që Federata e Futbollit e Zvicrës, u falënderua, por sugjeroi që ato të jepen për qëllime bamirëse gjatë dy vizitave të fundit identifikuam përfituesin potencial”, kishte shkruar Reka, duke dhenë garanci se “gjendja e llogarisë është e njëjtë si në ditën e ndërprerjes së grumbullimit të mjeteve”.

Duke iu përgjigjur komentuesve në Facebook të cilët propozonin se ku duhet të dhurohet pjesa tjetër e fondit, Reka ka thënë se populli do të vendosë.

“Ju si popull vendosni, fondet janë të pa prekura pos donacionit të fundit. Populli le të zgjedhë”, është përgjigjur ai.

E të rejat për fondin dolën dy ditë pas tërmetit në Shqipëri, ku Reka publikoi një fotografi në Instagram me të cilën tregoi se janë dhuruar 10 mijë dollarë për të prekurit nga tërmeti.

“Duke ju bashkangjitur ndihmave për tërmetin në rajonin e Durrësit, kam autorizuar donacion prej $10,000 nga kontoja e fondit Xhaka, Shaqiri për simbolin e Flamurit”, ka shkruar ai.

Plot 25 mijë e 421 dollarë u patën mbledhur për ta paguar gjobën e cila iu shqiptua Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit nga FIFA pas ndeshjes Zvicër-Serbi. Gjoba iu dha se golat që i shënuan në Evropian ndaj Serbisë i festuan me shqiponjë. FIFA e konsideroi këtë të pahijshme. E kjo gjobë i kishte mobilizuar shqiptarët të cilët vetëm disa orë pas vendimit të FIFA-s, krijuan kampanjë për grumbullim të parave.

Derisa mbetet të sqarohet çështja e më shumë se 15 mijë dollarëve të mbetur në fond, komentues të shumtë në postimin e Rekës i kanë kërkuar këtij të fundit transparencë, teksa të tjerë kanë hedhur dyshime për menaxhimin e parave.