Arbëri

Mazreku: Kompanitë e Sigurimeve kanë pamjaftueshmëri të primit për t’i mbuluar shpenzimet e dëmeve

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve, Sami Mazreku në Rubikon të KTV-së ka thënë se Kompanitë e Sigurimeve kanë pamjaftueshmëri të primit për t’i mbuluar shpenzimet e dëmeve.

“Kompanitë kanë një pamjaftueshmëri të primit që bazuar në këtë prim t’i mbulojnë shpenzimet e dëmeve që mund të ndodhin dhe kjo ka ardhur në dy drejtime, në një anë është zvogëluar primi dhe në anën tjetër e kemi rritjen e kostos së pagesës dhe shpenzimeve tjera. Ka ardhur deri këtu sepse para 7 viteve, BQK ka nxjerrë një rregullore e cila parasheh që të gjithë ata ngasës që nuk bëjnë aksidente marrin një bonus varësisht prej një përshkallëzimi që ka përcaktuar rregullorja dhe e cila mund të shkojë deri në 50 për qind zbritje”, ka thënë Mazreku.

Në anën tjetër ai thotë se kemi një rritje të kostos së pagesës së dëmeve.

“Nëse në vitin 2001 kemi paguar 200 marka në atë kohë për një sigurim, kompanitë e sigurimeve nuk i kanë paguar dëmet më shumë se 10 mijë marka. Pas kësaj, ka ndërruar marka dhe ka ndërruar edhe mbulesa siguruese ku me të njëjtin çmim, kompanitë kanë paguar dëme deri në 100 mijë euro. Kjo ka ndodhur deri në vitin 2011, derisa Banka Qendrore nuk e ka rrit mbulesën siguruese”, ka thënë ai.