Arbëri

QKSS: Emërimet në AKI, të paligjshme dhe jolegjitime

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) konstaton se emërimi i Drejtorit dhe Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së është i paligjshëm dhe jolegjitim me pasoja të mëdha për kornizën institucionale të sigurisë.

Përmes një komunikate për media, kjo organizatë thotë se vendimet e tilla të rëndësishme në asnjë mënyrë nuk mund të merren nga kryeministrat në dorëheqje të cilët kanë një rol kujdestar.

“Ky vendim e dëmton edhe më shumë reputacionin edhe ashtu të brishtë të AKI-së duke shfrytëzuar kështu bazën ligjore e cila bazohet nominalisht në një sistem të mirë të balancit dhe kontrollit, në këtë rast në mes të Presidentit dhe Kryeministrit. Veprimi qartazi synon të sfidojë sistemin qeverisës në ardhje duke planifikuar kësisoji ngërç institucional me dashje në dëm të interesave nacionale të Kosovës. Kur këtij veprimi i shtohet profili i të emëruarve me pjesëmarrje aktive në politikë kohëve të fundit (sidomos pozicioni i Inspektorit të Përgjithshëm) lehtësisht mund të konkludohet se vendimi ka implikime afatgjate në sektorin e sigurisë”, thuhet në komunikatë.

Për më shumë, QKSS shton se “ky veprim do të ndikojë negativisht në partneritetin me shtetet miqësore të Kosovës tashmë kur vendi, qoftë në planin e brendshëm e sidomos në atë të jashtëm, është para sfidave të mëdha politike e të sigurisë".

"Partnerët e Kosovës nuk mund të llogarisin në bashkëpunim me një institucion aq të diskredituar”, thekson QKSS.

Kjo organizatë kërkon nga institucionet relevante që të anulojnë këtë vendim dhe, siç thotë, "në këtë formë të shmangin nivelin aq të lartë të degradimit të institucioneve vitale të shtetit".

Kujtojmë se Kreshnik Gashi, nga kjo e hënë, ka marrë pozitën e shefit të Agjencisë së Inteligjencës në Kosovë, derisa Burim Ramadani është emëruar Inspektori i Përgjithshëm i saj.