Arbëri

Vazhdon beteja me votat e diasporës, Kurti thotë se ka siguruar shumicën për Qeverinë

Descriptive Text

Kontesti me votat e ardhura nga diaspora mund ta shtyjë certifikimin e rezultateve, edhe pse Komisioni Qendror Zgjedhor të dielën ka përfunduar rinumërimin e të gjitha kutive, që ishin subjekt i ankesave të partive.

Por Nisma Socialdemokrate ka kërkuar prej Gjykatës Kushtetuese anulimin e votave të diasporës, ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka vendosur nëse do të kërkojë nga Supremja përfshirjen edhe të kontingjentit të fundit të pakova të ardhura me postë, të cilat i hodhi poshtë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, shkruan sot “Koha Ditore”.

Dy herët e kaluara Gjykata Supreme kishte urdhëruar KQZ-në që votat nga diaspora t’i përfshijë në rezultatin përfundimtar. Derisa afati i Supremes për të vendosur është 72-orësh, shqyrtimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese mund të marrë më shumë kohë.

Pavarësisht ndryshimit që mund të prodhojnë ankesat, pretendenti për kryeministër, Albin Kurti, të dielën nga Prizreni ka thënë se votat për Qeverinë janë krijuar. Njoftimin e ka dhënë pasi ka marrë mbështetjen e tre deputetëve nga komunitetet joshumicë: Rasim Demiri, Fikrim Damka dhe Albert Kinolli.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)