Arbëri

Me iniciativë të një ish-pjesëtari të UÇK-së, veteranët e rrejshëm dorëzojnë certifikatat

Foto: Koha / ilustrim

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Faik Zogaj nga Malisheva, ka ndërmarrë një iniciativë për t’i bindur të gjithë veteranët e rrejshëm të UÇK-së t’i dorëzojnë certifikatat e tyre.

Kësaj nisme, Zogaj thotë se deri më tash i janë përgjigjur pozitivisht 13 persona. Ai pret që ky numër të rritet.

“Janë duke e dorëzuar statusin e veteranit në të gjitha zonat, nga zona e Dukagjinit, ajo e Pashtrikut, mund të themi nga të gjitha zonat dhe brenda javës numri ka shkuar në 13 vetë. Sot presim që të paraqiten edhe disa të tjerë dhe besoj që deri më 28 nëntor numri do të rritet deri 150 vetë që e dorëzojnë statusin e veteranit”, tha ai për televizionin publik.

Zogaj është i bindur se në fshatin e tij në Mleqan janë 128 veteranë të rrejshëm kurse në tërë Drenicën rreth 2 mijë të tjerë.

“Secili që e di veten që nuk ka qenë pjesëtar i UÇK-së në gjashtë muaj e fundit, që nuk ka marrë pjesë në tri beteja, nuk ka pas armë personale, është mirë ai sot apo nesër ta dorëzojë certifikatën”, tha ai për televizionin publik.

Xhevdet Qeriqi nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, thotë se njerëzit që kanë përfituar rrejshëm nga shteti duhet të dalin para drejtësisë.

“Unë mendoj se shtetit duhet të veprojë sepse është keqpërdor statusi i veteranit dhe vetë UÇK-ja dhe gjykata duhet të ndërmarrë veprim në këtë drejtim dhe të gjithë ata që e kanë keqpërdorë të dalin para gjykatës dhe ta marrin dënimin e merituar. Ata që kanë aplikuar për status nuk është dashur ta bëjnë fare këtë, por ka qenë interesi i tyre që të përfitojnë materialisht, dha tash e kanë parë se gjykata po e kryen punën e vetë dhe nga frika kanë filluar të tërhiqen nga statusi i veteranit”, tha ai.

Prokuroria e shtetit ka propozuar që Gjykata të ndalojë përkohësisht shpërndarjen e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, llogaritet se 40 milionë euro janë shpenzuar për këtë kategori. Ndërkohë, dyshohet se rreth 20 mijë persona janë përfshirë jashtëligjshëm në listën e veteranëve të UÇK-së. Me anë të aktakuzës, Prokuroria ka hequr nga listat e veteranëve të rrejshëm 738 emra.