Arbëri

E diela me “Koha Ditore” këtë javë flet për nismën e Mini-Schengenit për Ballkanin

Idetë pro dhe kundër projektit kundërthënës të Mini Shengenit trajtohen gjerësisht në të dielën me Kohën Ditore.

Pse konsiderohet diskriminues ky projekt që po shtyhet përpara nga treshja Rama-Vuçiq - Zaev, efektet politike dhe ekonomike, janë vetëm disa prej aspekteve që shtjellohen.

Për nismat rajonale, në intervistë flet analisti gjerman Bodo Weber, që mes tjerash jep mendimin e tij për efektin e nismave të tilla në raportet Kosovë – Serbi.

Fjala sovran është përdorur shumë së fundmi në Kosovë dhe një reportazh interesant për këtë temë e gjeni në faqet 12-13.

Te bota flitet për presidentin francez Emmanuel Macron, vizionin e tij për Evropën, si dhe për fatin e disa grave nga Sierra Leone, e për arsyet të cilat bënë që ato të përjashtoheshin nga familjet e tyre.

Faqet e kulturës, mes tjerash, këtë javë i dedikohen artistes Lumjetë Havolli dhe ekspozitës së saj, e gjithashtu edhe librave të botuar së fundmi e filmave interesantë.

Për prapaskenat e debutimit të Ibrahim Dresheviqit me Kosovën dhe rikthimin e trajnerit Dragan Radoviq që tani po drejton Yllin në Superligën e basketbollit, mund të lexoni më shumë në faqet e sportit.

Si zakonisht, janë mbi 80 faqe me shumë materiale interesante për t’i lexuar në një të diel me Kohën Ditore.