Arbëri

“Ligjëratat e BIK-ut në burgje, nuk mjaftojnë për deradikalizim”

Descriptive Text

Deradikalizimi dhe risocializimi i personave nëpër qendrat e Shërbimit Korrektues në Kosovë, të cilët janë duke vuajtur dënimet me burg për terrorizëm dhe ekstremizëm fetar, vazhdon të mbetet sfidë, vlerësojnë përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës, të organizatave joqeveritare dhe njohës të sociologjisë së religjionit.

Një memorandum ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë së Qeverisë së Kosovës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, për ligjëratat e përfaqësuesve të kësaj të fundit në burgjet në Kosovë, kishte synuar që të ndikojë në deradikalizimin e personave që janë të dënuar për terrorizëm dhe ekstremizëm të dhunshëm fetar.

Rexhep Lushta, imam në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, i cili ka mbajtur ligjërata në dy nga burgjet në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, që projekti i Ministrisë së Drejtësisë dhe i Bashkësisë Islame të Kosovës, nuk ka pasur për cak vetëm një grup të burgosurish, por në të kanë qenë të përfshirë të gjithë të burgosurit, pavarësisht nga veprat që ata i kanë kryer. Sipas tij, fatmirësisht, në kohën kur është bërë marrëveshja, nëpër burgjet e Kosovës kanë qenë edhe disa individë, të cilët kanë qenë të akuzuar për terrorizëm, qoftë për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në vatrat e luftës në Siri apo qoftë edhe ata që e kanë përkrahur.

Lushta thotë se ka mbajtur ligjërata në burgun e Dubravës dhe në Mitrovicë e Veriut.

“Ligjëratat kanë qenë të natyrës vullnetare, nuk kanë qenë të obligueshme. Mirëpo, fatmirësia ka qenë aty që të gjithë ata djem, të cilët kanë qenë në burgun e Dubravës, pa hezitim e kanë mirëpritur një veprim të tillë. Normalisht që asnjëri prej tyre nuk e ndjenë veten fajtor për veprat, për të cilat ata janë ngarkuar. Mirëpo, sidoqoftë, mendoj që ata nuk e ndjejnë veten që janë njerëz të radikalizuar. Por, megjithatë, në ligjëratat tona, me këshillat tona, me bashkëpunimin që e kemi pasur me ta, mendoj se ka rezultuar me fryte dhe mendoj që ata djem, kur të dalin nga aty (burgu), vetëm sa do të jenë më të dobishëm për shoqërinë”, tha Lushta.

Shpat Balaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se me gjithë efektet e dobishme që mund t’i prodhojnë ligjëratat e përfaqësuesve të BIK-ut nëpër burgje, ato janë të pamjaftueshme për rehabilitimin dhe risocializimin e personave të radikalizuar.

“Në parim, ky program është adekuat për rehabilitimin e këtyre personave. Por, sipas informatave që ne i kemi, disa prej tyre kanë refuzuar të jenë pjesë e këtij projekti. Andaj, Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Bashkësinë Islame, duhet të gjejnë mekanizma të rinj, që të mund të t’i fusin këta persona në procesin e rehabilitimit, përmes atyre mekanizmave dhe jo të bëhet veprimet veç sa për t’u bërë, në aktivitetet e veta”, tha Balaj.

Ismajl Hasani, profesor i Sociologjisë së Religjionit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që projekti i Ministrisë së Drejtësisë dhe BIK-ut, është i mirë në parimin institucional. Por, sipas tij, në deradikalizimin dhe rehabilitimin e të dënuarve për terrorizëm dhe radikalizëm, janë bërë gabime në hapa, për shkak se siç thotë ai, pjesë e korpusit të leksioneve, të këshillave, bisedave dhe kontakteve, është dashur të jenë edhe profilet tjera të ekspertëve.

“Para së gjithash aty është dashur të përfshihen sociologët, punëtorët socialë, posaçërisht psikologët e profilit klinik, meqenëse do të shënoheshin krejtësisht efekte tjera. Ata që vuajnë dënimin, kanë shkuar (në luftëra të huaja) të motivuar, përveç tjerash edhe mbi bazën e një bindje të fortë fetare. Filozofia e qasjes së kësaj problematike duhet krejtësisht të ndërrojë nëse duam që brenda për brenda qendrave korrektuese të shënojmë progres”, tha Hasani.

Megjithatë, Lushta thotë se në burgun ku ka ligjëruar nuk ka pasur raste që kanë refuzuar pjesëmarrjen në ligjërata. Për më shumë, sipas tij, ligjëratat kanë pasur efekt.

“Unë mendoj që po. Mirëpo, ndoshta kishte me qenë më mirë që Qeveria e Kosovës, në vend se t’i burgosë këta djem, të krijojë apo të hapë qendra rehabilituese të tipit të hapur, ku këta djem do të kenë mundësi të vijojnë mësime dhe edukime. Por, në të njëjtën kohë, kishte me qenë më mirë që përmes programeve psiko-sociale, edukative apo edhe përmes formave të ndryshme të angazhimit të tyre, të punësimit, të bëhet rehabilitimi i këtyre djemve. Nuk është e mjaftueshme që me këta djem të komunikohet vetëm në këtë mënyrë, prapa grilave. Mirëpo, ajo çfarë duhet bërë është që këtyre djemve t’u jepet mundësia e risocializimit të tyre në shoqëri”, tha Lushta.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në REL.