Koci: Për një kohë të shkurtër mund të ngrihen aktakuzat e para nga Specialja, edhe Thaçi mund të ftohet

Koci i shqetësuar me provat nga Serbia, dyshon se janë të fabrikuara

22 November 2019 23:47
00:06

Në Interaktiv të KTV-së avokati Arijanit Koci ka thënë se është i shqetësuar për provat nga Serbia, për të cilat dyshon se janë të fabrikuara.

Koci ka folur edhe për fondin e Qeverisë për të ftuarit nga Specialja, nga i cili thotë se s’ka marrë asnjë cent.

“Si ligji dhe votimi i Gjykatës Speciale ka shkuar jo fort mirë dhe kujdesshëm. Me ligj është paraparë se shpenzimet të paguhen nga momenti kur ngrihet aktakuza. Unë nuk e kam marrë asnjë cent nga fondi i Qeverisë, por as nga ndonjë fond tjetër. Prej këtyre mjeteve nuk kam marrë. Kur Lushtaku është pyetur ka qenë një avokat britanik dhe për këtë s’mund të komentoj. Nuk i kam mbrojt falas por jemi kombinuar. Ka raste kur i dyshuari deklarohet se nuk ka mundësi të paguajë avokatin, dhe prokuroria pastaj e heton dhe mund t’ia paguajë të gjitha shpenzimet dhe avokatin”, ka thënë Koci.

Ai thotë se është i shqetësuar me provat nga Serbia, për të cilat dyshon se janë të falsifikuara.

“Ajo çfarë më intereson janë provat. Shumica prej tyre janë të Serbisë, që potencialisht janë të falsifikuara dhe mund të jenë të dëmshme. Nuk dua të spekuloj me afate por mund të jetë shpejt. Aktakuza ngritët kur prokuroria mendon se mund ta mbrojë hipotezën e vet, por tani është herët. Fuqishëm besoj se nuk do të ketë aktakuza ndaj të gjithëve. Krijohet përshtypja shumë, por në një lëndë mund të jenë 20 të dyshuar”, ka thënë Koci.

Ai ka shtuar se nuk është e qartë si do të bëhet vazhdimi.

“Me një vend thuhet se kur EULEX-i mendon se e ka përfunduar punën ose në një tjetër përmendet një afat pesëvjeçar. Mos t’i shkojë mendja dikujt se mund të ndalet Gjykata. Është dashtë që në kohë të përcaktohej afati kohor. Kam dëgjuar se disa avokatë kanë thënë se arrestimet e para mund të bëhen brenda dy javësh. Por, nuk shoh arsye ligjore që të ndodhë kjo kur të gjithë iu kanë përgjigjet ftesave”, ka thënë Koci.

Ai thotë se nuk është i shqetësuar se kush janë prokurorët.

“Kryesisht ajo çfarë më intereson se a janë profesionistë ata prokurorë apo jo. Nuk më brengos se kush është prokuror, por se a janë provat autentike apo të falsifikuara, prova të pavërteta nga ana e Serbisë. Prokuroria është e hapur për çdo provë dhe do të shqyrtojë të gjitha dëshmitë. Çdo i dyshuar e përzgjedh avokatin e vet, është vendim e tij se kujt i beson. Rrethanat në kontekstin social sigurisht se ne i dimë më mirë. Mbrojtja duhet me qenë e fortë, kualitative, pasi kundërshtari ka infrastrukturë shumë të mirë. Në një mënyrë edhe ata janë të detyruar të shkojnë drejt të vërtetës”, u shpreh Koci.

Ai thotë se kjo gjykatë është formuar për shkak të dështimit tonë të drejtësisë.

“Me këtë infrastrukturë ligjore mund të procesojmë krimet e serbëve në Kosovë dhe edhe tash vazhdojmë të jemi të pakujdesshëm. Tani është duke u bërë gjykimi në mungesë. Por, kur është bërë ndryshimi i ligjit nuk janë konsultuar prokurorët e avokatët. Prokurorët kanë probleme serioze që të vazhdojnë me këtë temë, pasi është e përcaktuar që pesë t’i dërgohet ftesa të dyshuarit dhe pastaj ai mund të gjykohet në mungesë. Kjo do të funksiononte në raporte normale ndërmjet shteteve, por jo siç është ky i yni me Serbinë”, u shpreh ai.

23:47

Koci: Për një kohë të shkurtër mund të ngrihen aktakuzat e para nga Specialja, edhe Thaçi mund të ftohet

Avokati Arianit Koci, duke folur për punën e Gjykatës Speciale ka thënë se për një kohë shumë të shkurtër mund të ngrihen aktakuzat e para.

Sipas tij, aktakuzë nuk do t’iu ngritët të gjithë personave të cilët janë ftuar si të dyshuar. Ai në Interaktiv të KTV-së ka shtuar se ka të tillë të cilëve do të iu pushojnë hetimet.

“Proceduralisht kur ftohet i dyshuari konsiderohet se procedura hetimore është në fund. Disa procedura kanë përfunduar më herët. Marrja në pyetje dhe hetimet e prokurorisë mund të vazhdojë më tutje edhe pas ngritjes se aktakuzat”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se çdo ushtar i UÇK-së mund të ftohet, përfshirë edhe presidentin Hashim Thaçi.

Koci ka treguar se intervistimi zhvillohet në gjuhë shqipe dhe angleze, ndërkaq të ftuarit gjithmonë përgjigjen në gjuhen shqipe.

Lidhur me deklaratat e disa personave të ftuar nga Specialja se janë ftuar në cilësinë e “dëshmitarit të dyshuar”, ai ka thënë se ky është një keqkuptim dhe asnjëherë nuk ka parë një ftesë të tillë.

“Ftesat që unë i kam parë, qartazi përcaktohet se a janë dëshmitarë a janë të dyshuar. Ka ftesa edhe në anglisht edhe në shqip. Kam pasur vërejtje në ftesa të cilat nuk ka pasur elemente për veprat që të ftuarit kanë kryer. I dyshuari duhet të i përgjigjet Gjykatës ose mund të heshtë apo ndryshe të mbrohet në heshtje”, ka thënë ai.

Sipas Kocit, gjithmonë kur prokurori e fton të dyshuarin e ka pistën e dyshimit, ndërkaq sipas tij, i dyshuari ka mundësi t’i kundërshtojë akuzat.

Ai thotë se mënyra se si dorëzohet ftesa nga Gjykata Speciale është krejtësisht e rregullt.

“Më ka ndodhur rasti kur hetuesi e ka thirrur klientin, i ka thënë a do t’ua sjellë juve a po ta kontaktojë avokatin. Më ka thirr hetuesi dhe është prezantuar në mënyrë korrekte”, ka thënë ai

Ai thotë se ftesa nuk i jepet një personi të tretë përveç të thirrurit apo avokatit. Koci ka thënë se ka dy lloj të të dyshuarve, ata që duan ta bëjnë publik emrin dhe ata që nuk duan. Ai thotë se mbron persona të cilët nuk duan ta publikojnë emrin.

“E shoh një tendencë që komandantët e tregojnë që janë ftuar, ndërkaq këta të cilësisë më të ulët nuk preferojnë të tregojnë”, ka thënë ai.

Sipas tij, procesi i intervisitimit është profesional, deri sa ka treguar se dëshmia e të ftuarit xhirohet.

“Para kësaj here e kishim një përplasje profesionale me prokuroren dhe ata i pranojnë kritikat. Prokuroria po i kryen detyrat që ja ka dhënë parlamenti jonë”, ka thënë ai duke shtuar se prokuroria po i heton pretendimet e raportit të Dick Martyt.

Koci thotë se që nga fillimi ka qenë kundër kësaj gjykatë, duke shtuar se disa nga deputetët nuk e kanë ditur as çka kanë votuar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme