“Shqipëria e Para”, Meta i del në mbrojtje Kushtetutës, thotë se Qeveria s’i jep askujt llogari Foto: Tch

“Shqipëria e Para”, Meta i del në mbrojtje Kushtetutës, thotë se Qeveria s’i jep askujt llogari

22 November 2019 20:56

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e ka vlerësuar maksimalisht deklaratën e sotme të Departamentit të Shtetit të SHBA.

Meta me këtë rast ka përshëndetur qëndrimin e DASH-it se “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”.

“Presidenti Meta konfirmon vendosmërinë e tij për të bashkëpunuar ngushtë me DASH-in dhe SHBA-në, për zbatimin e Reformës në Drejtësi sipas Kushtetutës së miratuar në bashkëpunim me SHBA dhe Komisionin e Venecias. Presidenti Meta i qëndron besnikërisht të gjitha qëndrimeve të tij të qarta dhe transparente, të shprehura zyrtarisht për përfaqësuesit e lartë amerikanë gjatë 5 viteve të fundit, që i përsëriti dhe në bisedën zyrtare telefonike që zhvilloi mbrëmjen e 20 nëntorit me Zv.Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA, z. Matthew Palmer”, thuhet në një komunikatë të Presidencës shqiptare.

“Aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA dhe miqësia e shkëlqyer midis dy vendeve dhe popujve tanë është e palëkundur”, theksohet në komunikatë, raporton Koha.net.

Ndërkaq, po sot gjatë ditës, Presidenti Meta ka lëshuar një deklaratë për shtyp, ku del në mbrojtje të Kushtetutës duke thënë se Qeveria nuk është llogaridhënëse ndaj askujt në Republikën e Shqipërisë, duke renditur disa shembuj, kurse thotë se “është koha për t’i thënë NDAL këtij degradimi të shtetit dhe të atdheut tonë”.

Thotë se Kushtetuta e Shqipërisë që ende gëzon respektin, nderimin dhe nostalgjinë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, “fatkeqësisht u zhbë brenda natës në errësirë të plotë nga marrëveshja politike e partive e vitit 2008”.

“Si pasojë e kësaj marrëveshjeje, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk përfaqësojnë më vullnetin e drejtpërdrejtë të popullit dhe të qytetarëve shqiptarë, por vetëm vullnetin e Kryetarëve të Partive”, deklaron Meta.

Tashmë, thotë Meta, jemi përpara një situate edhe më dramatike, ku Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ajo që na rekomandoi Komisioni i Venecias, po shkelet hapur dhe dhunshëm me qëllimin e vetëm të përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e Kryeministrit aktual.

Shqipëria, thotë Meta, e ka pësuar një herë dhe është përbetuar kombëtarisht në Lëvizjen Studentore të viteve ‘90, se kurrë më Diktatura nuk do të përsëritet, as de Facto dhe as de Jure!

“Shqiptarët të hapin sytë, të marrin fatin e tyre në dorë, në mbrojtje të Kushtetutës dhe që fëmijët e tyre të mos ikin më nga sytë këmbët në atdheun e tyre! Kushtetuta e Republikës është Vija e Kuqe dhe e kuqe flakë, e pakalueshme nga armiqtë e saj dhe të Republikës së gjithë shqiptarëve! Shqipëria nuk është dhe nuk do të jetë shpresëhumbur! Presidenti do të jetë në mbrojtje të drejtpërdrejt të Lirive dhe të drejtave themelore të Popullit Shqiptar”, ka theksuar Meta në këtë deklaratë për media.

Ai tha se do të kërkojë mbështetjen e mbarë popullit shqiptar, që përmes Referendumit të mbrojë Republikën.

“Le të jetë populli shqiptar dhe vetëm ai, që do të vendosë nëse pranon të rikthehet në Diktaturë apo do të mbrojë Demokracinë që është fituar me shumë trimëri, vuajtje dhe sakrifica njerëzore. Vendimi i drejtpërdrejtë i popullit dhe i sovranit të përgjithshëm, është mbi të gjithë. Referendumi është demokracia direkte dhe në veprim! Presidenti i Republikës, do bëjë gjithçka që kjo e Drejtë të ushtrohet lirisht dhe pa asnjë pengesë”, deklaroi Meta.

Deklaratën për media, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e përfundon me shprehjen “Shqipëria e Para!”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme