Berjani e quan spektakël mediatik lajmin për kurdisje të çmimit të naftës

Berjani e quan spektakël mediatik lajmin për kurdisje të çmimit të naftës

22 November 2019 17:51

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka mohuar të ketë pasur kurdisje të çmimeve të naftës.

Ai në Express Intervistë në KTV tha se është gabim kur thuhet se marzha e fitimit të naftëtarëve është 60 për qind ose 124 për qind, pasi që sipas tij çmimi i naftës atëherë do të ishte 1 ose 2 euro.

“Ne do e pranojmë çka do të gjendet nga hetimet e AKK-së por ende është herët, se a ka pas a nuk ka pasur. Në vitin 2018 ka qenë ai rast, ku çmimi ka qenë 15 deri 18 cent i marzhës se fitimit, por një vendim i qartë ende nuk është. Ne si shoqatë e naftëtarëve kemi ftuar të martën Kuvendin dhe të gjitha kompanitë që të flasim për këtë problem. Asnjë kompani nuk ka pranuar që kanë pasur çmim kartel. Raporti i fundit nuk na ka ardhur ende, në media ajo çka është publikuar është gabim teknik. Kur thuhet që marzha e fitimit ka qenë 60 për qind ose 124 për qind ky është një gabim teknik ose nga mediat ose nga AKK. Qytetarët nuk duhet të mendojnë që naftëtarët përfitojnë nga kjo marzhë. Nëse rritet çmimi 124 për qind atëherë çmimi i naftës duhet të jetë 1 euro ose dy euro”, ka thënë ai.

Berjani ka thënë se furnizimi kanë qenë më sasi të lartë, pasi që sipas tij, dimrit naftëtarëve mbajnë stoqe më shumë, meqenëse ato nuk kanë mundur të eliminohen menjëherë, atëherë u bë bujë mediatike se u bënë çmimet larta.

Ai tutje shton se qytetarët janë duke u furnizuar me çmimin më të ulët në Ballkan përveç Maqedonisë së Veriut.

Berjani thotë se naftëtarët furnizohen nga Emiratet Arabe dhe qytetarët po furnizohen me çmime të lira.

“Për një cent mundet me luajt çmimi nga kompania në kompani. Unë nuk mendoj që ka pasur marrëveshje dhe çmim kartel. Ky ka qenë më shumë një spektakël mediatik. Kur thuhet që naftëtarët e kanë marzhën e fitimit 120 për qind nuk ekziston. Marzha e fitimit është 10 deri 12 cent bruto”, ka thënë ai.

Sipas tij çmimet nuk janë duke shkuar në dëm të konsumatorëve.

Ai thotë se Agjencioni Kosovar i Konkurrencës është ngutur, pasi sipas tij ende nuk është marrë ndonjë vendim.

“Me këtë spektakël të mediave unë mendoj që është gabim sepse 60 për qind marzh të fitimit nuk ka. Nëse ka diçka të tillë unë e ftoj AKK të i gjobitë, por nuk ka shanse teorike të ndodhë diçka të tillë. Ne kemi kërkuar si shoqatë e naftëtarëve të kemi kriter”, ka thënë ai.

Duke folur për ligjin e vjetër ai ka thënë se ai ka qenë katastrofal. Sipas tij, askund në botë nuk paguhet licenca çdo dy vite.

“Sipas standardit ndërkombëtarë duhet të ketë licenca të përhershme. Në Kosovë ka aq shumë licenca dhe shumë ngarkohet biznesi. Me ligjin e ri qytetari përfiton më së shumti. Ligji i ri i naftës nuk do ta dëmtojë qytetarin sepse ky ligj na mundëson që të punohet me kritere të reja. Nëse rregullohet ky sektor i siguroj qeverisë së re që shumë vende të reja të punës do të bëhen”, ka thënë ai.

Ai tutje shton se nuk ka asnjë kufizim as për kompanitë e mëdha për krijimin e pikave të reja të shitjes.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme