Arbëri

Euronews nisi transmetimet për Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë e Veriut

Dje kanë nisur transmetimet e pandërprera 24-orëshe nga Tirana stacioni më i ri televiziv i përkushtuar krejtësisht informacionit Euronews Albania.

Mbi 150 profesionistë të rinj dhe me përvojë po përgatitin lajme në gjuhën shqipe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia Veriore nën logon e mirënjohur e mirënjohur të kontinetit Euronews.

Ata u përzgjodhën për afro një vit mes një mijë kandidaturave dhe për të qenë nën drejtimin e një shefe me përvojë në fushën e televizioneve shqiptare, Ilva Tare, e cila më shumë se dy dekada më parë e nisi punën si një gazetare e thjeshtë terreni.

“Duke ruajtur një distancë të shëndetshme profesionale, në raportin me lajmin dhe verifikimin e tij, me hulumtimin e thelluar të tij, do të shkojmë përtej ngjarjes së ditës, do të përpiqemi t’u japim qytetarëve të gjitha këndvështrimet e asaj që po ndodh. Sipas filozofisë tonë, të gjitha këndvështrimet kanë rëndësi. Ne nuk imponojmë opinionin e askujt ndaj publikut, por do të lejojmë qytetarët të krijojnë vetë opinion e tyre. Ne do t’u japim atyre një panoramë sa më të qartë në mënyrë krejt të pavarur, me integritet dhe cilësi profesionale” - tha drejtuesja Ilva Tare.

Stacioni më i ri informativ, falë teknologjive të reja dhe pajisjeve moderne, po mbulon me sinjal Shqipërinë, Kosovën dhe Maqednë Veriore. Në krye të redaksisë së lajmeve të Euronews Albania është Franko Egro, një tjetër autor dhe redaktor i mirënjohur nga publiku shqiptar për profesionalizmin e tij për më shumë se dy dekada.

“Euronews Albania është françaisi i parë në historinë e Euronews Grup. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se Euronews Albania do të përpiqet të përqendrohet tek vlera editoriale dhe te vlera e lajmit. Logoja e Euronews-it do të thotë: “Të gjitha zërat, të gjitha pikëpamjet”. Ky televizion i ri që nisi udhëtimin e tij sot do të përpiqet në formë sintetike të bëjë pikërisht këtë: të bëjë një gazetari të vërtetë, ku qytetari të ndjekë lajmin që i intereson” - tha zoti Egro.

Stacioni më i ri Euronews Albania nisi sot punën normale, si sfidanti më i ri i konkurrencës në gazetari, ndërkohë që qarqet mediatike vendase po kalojnë një periudhë të vështirë me kritika për njëanshmëri politike, autocensurë dhe mungesë profesionalizmi/VOA.