Arbëri

Maloku: Presidentin e ardhshëm të Kosovës s'duhet ta zgjedhë as Kurti e as Mustafa

Sociologu Fadil Maloku ka thënë se Presidentin e ardhshëm nuk duhet ta zgjedhë as kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e as ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Maloku ka shprehur bindjen se debatet për këtë pozitë janë të kota dhe të pajustifikueshme.

Sipas tij, shumë më mirë do ishte sikur e gjithë kjo energji e humbur për këtë temë të shpenzohej për pikat kardinale në ndryshimet Kushtetuese, e me këtë pako pse jo edhe për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm të Kosovës përmes votës qytetare.

“Në këtë kontekst edhe parlamentarët, e ardhshëm interesimin e tyre më të madh do të duhej ta fokusonin në nevojat e ndryshimeve kushtetuese, prej nga (flasin shumë studime) edhe burojnë të gjitha pakënaqësitë jo vetëm sociale edhe ekonomike, por edhe ato politike dhe juridike”, ka thënë ai.

Sipas tij, në këtë kontekst, projekti i ndryshimeve Kushtetuese, do të ishte një ofertë e re për rimëkëmbjen e vendit, ndërkaq, në kuadër të këtij procesi një vend të posaçëm do të duhej të zënin nenet për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm të Kosovës.

“Sistemi presidencial, pra, thënë më thjesht shikuar me dioptrinë institucionale është një frymë e re e cila deri diku kujtojmë përafrohet edhe me kulturën dhe ngrehinën e mentalitetit tonë kolektiv. Kuptohet, diskursi i këtillë që kulmon me një tip të ri të përgjegjësisë, me një frymë të re të sjelljes ndaj punës dhe shtetit të ri që do të ndërtohej e ruhej me po aq xhelozi sa investohet në të. Thënë me edhe më shkurt mënyra e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm do të kushtëzonte edhe reformat në: arsim, shkencë, teknologji, inxhinierinë njerëzore etj. Ky lloj kontiniumi heterogjen në pamje të parë do të krijonte me pastaj edhe parakushtet e reja për një mobilizim social kombëtar, meqë do te krijoheshin vende të reja pune, do te fuqizoheshin kapacitetet dhe resurset e gjithëmbarshme sociale kombëtare ku papunësia nuk do ishte kjo që është sot”, ka thënë ai.

Maloku thotë se po ashtu do të hetoheshin demaskimi i pengesave burokratike të instaluara qëllimisht nga ana e Administratës së UNMIK-ut dhe kontrollet meskine shtetërore që do të zvogëloheshin në mikronivele që kanë kaluar ethet e procesit të tranzicionit.

Maloku thotë se kjo padyshim që mund të arrihet vetëm përmes reformës së pushtetit lokal, decentralizimit, privatizimit, derregullimit, dhe reduktimit të administratës qendrore dhe asaj lokale në një administratë të efektshme, funksionale, racionale, teknokrate, si dhe afirmimin e diskursit social në kuptimin e një egalitarizmi ligjor për qytetarë ku politika dhe interesat shtetërore do zënin hapësirë dhe fakte të pakontestueshme.

“Fakti i parë përvoja e ndërtimit të kapaciteteve demokratike sidomos në shoqëritë e Evropës Qendrore dhe Lindore, gjatë valëve të mëdha të demokratizimit, në fakt çuan kah valët e një puro autoritarizmi, ku kontrolli i rrjeteve institucionale s’u monitorua sa dhe si duhet nga mekanizmat përkatës të mbikëqyrjes dhe kontrollit publik. Fakti i dytë; mospërputhja e formulës kushtetuese me praktikën politike të ushtruar gjatë gjithë kësaj kohe ka bërë që shumica e vendeve nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kanë hequr dorë në Kushtetutat e tyre nga sistemi gjysmë presidencial edhe për shkak se nuk kanë korresponduar me praktikën empirike politike të pasluftërave: Kroacia, Bosnja, Serbia, etj. Fakti i tretë; përvojat e vendeve në tranzicion dëshmuan se: sistemi Presidencial është i mundur vetëm nëse raportet midis: legjislativit , gjyqësorit dhe ekzekutivit, janë shumë të qarta dhe të pavarura nga politika. S ‘këndejmi, Presidenti i ardhshëm i Kosovës duhet të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejt me votën qytetare, e jo përmes aksham pazareve të dyshimta, të shantazhuara dhe të kushtëzuara nga klanet oligarke të subjekteve të caktuara politike”, ka shkruar tutje Maloku.