Arbëri

Kabineti i Haradinajt shpenzoi një milion euro për dy vjet, të dhënat e tyre i quajnë “skandaloze”

Afër 1 milion euro ka shpenzuar kabineti i kryeministrit në detyrë Ramush Haradinajt për dy vjet.

41 anëtarët e kabinetit të tij, pa përfshirë pagat, kanë harxhuar 966 mijë e 307 euro nga buxheti i shtetit.

Prej tyre, më shumë se 114 mijë euro për bileta të aeroplanit, 85 mijë për shpenzime të akomodimit në hotele, 82 mijë euro mëditje, 33 mijë euro shpenzime nga kredit kartela dhe 58 mijë euro për shpenzime të tjera.

Një ndër njerëzit e Haradinajt, që më së shumti ka shpenzuar, është Avni Arifi, ani pse ai ka ndërruar punë vitin e kaluar, nga shefi i kabinetit në ambasador.

Arifi në total ka shpenzuar 50 mijë euro, prej të cilave 11 mijë euro mëditje, më shumë se 18 mijë euro nga kredit kartela dhe për bileta të avionit 16 mijë euro.

Megjithëse të dhënat për shpenzimet e anëtarëve janë marrë nga pasqyra e harxhimeve të Zyrës së kryeministrit, që i janë prezantuar “Kohës Ditore”, ish-shefi i kabinetit të Haradinajt e ka quajtur skandaloz e për keqardhje mënyrën e kategorizimit të shpenzimeve nga Zyra ku deri pak muajsh punonte.

“Në shtypin ditor të Kosovës është lakuar emri im si protagonist i shpenzimeve gjatë qëndrimit tim 20 mujor në Zyrën e Kryeministrit. Dua të potencoj se këto nuk janë shpenzime të Avni Arifit, e as vetëm të shefit të stafit të Kryeministrit, por edhe të shefit për bisedime me Serbinë. Qeveria në largim nuk kishte ministri për dialog, siç kishte Qeveria e mëparshme, e as fond të veçantë për bisedime siç kishte gjithmonë. Shumë nga shpenzimet e dialogut që janë krijuar në vitin 2018, janë mbuluar nga Zyra e Kryeministrit nën emrin tim dhe kartela që unë e kam pasur. Po ashtu, në disa raste fatura të ngjarjeve të përbashkëta të kabinetit janë mbuluar nga kartela ime. Për keqardhje mënyra e sqarimit të shpenzimeve nga ana e Zyrës së Kryeministrit, e edhe më keq kategorizimi i shpenzimeve. Me një kategorizim të tillë tërësisht skandaloz është i kuptueshëm çdo konkluzion edhe kur është i pasaktë”, ka shkruar Arifin në Facebook.

Në krye të kabinetit të Haradinajt, pas Avni Arifit, është emëruar Gani Demaj. Më shumë se gjysma e shpenzimeve të Demajt, janë të pajustifikuara.

Në kategorinë shpenzime të tjera, si të harxhuara atij i janë përshkruar 20 mijë e 541 euro.

Shefi i kabinetit të Haradinajt, për akomodim ka shpenzuar 16 mijë euro, 2 mijë euro për bileta, 3 mijë euro ka arkëtuar mëditje, aq sa ka shpenzuar edhe në telefon.

I kontaktuar nga Kohavisioni, Demaj nuk ka pranuar të deklarohet për harxhimet e bëra, duke thënë se është dashur të telefonohet pa u publikuar këto të dhëna.

Keq për nga shpenzimet e parave të shtetit nuk e kanë lënë as biznesmenët Erolld Belegu e Gazmend Abrashi, që të dy pjesë e kabinetit të Haradinajt.

Për dy vjet, Belegu ka harxhuar 35 mijë euro, prej të cilave 12 mijë për akomodim aq sa ka paguar edhe për bileta të avionit, 6 mijë euro ka marrë mëditje dhe më shumë se 4 mijë e 603 euro shpenzime të tjera.

Belegu, përmes telefonit, ka arsyetuar shpenzimet e bëra me udhëtimet e shumta në Amerikë.

Kurse, Gazmend Abrashi, për 24 muaj ka shpenzuar 18 mijë euro, prej të cilave 7 mijë për bileta, 5 mijë për akomodim, 4 mijë për mëditje dhe rreth 2 mijë shpenzime të tjera.

Abrashi nuk është përgjigjur në thirrjet e televizionit.

Më shumë se 10 mijë euro kanë shpenzuar edhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar të Ramush Haradinajt. 23 mijë euro Alban Dermaku, 20 mijë euro Meliza Haradinaj, Jahja Lluka 20 mijë, më shumë se 15 mijë Labinot Selimaj aq sa ka shpenzuar edhe Selim Selimi; rreth 14 mijë Donjeta Gashi e 12 mijë Albulena Gjinaj.