Kurti paralajmëron për të premten takimin me Mustafën, diskutohen postet ministrore e presidenti

Shahadije Bikliqi – Dragaçina 21 November 2019 19:02

Pas qëndrimit zyrtar të LDK -së se nuk do të ketë takim ndërmjet krerëve të Vetëvendosjes dhe LDK-së, pa certifikim të rezultatit të zgjedhjeve, një takim me Isa Mustafën për të premten e ka paralajmëruar Albin Kurti.

Kryetari i Vetëvendosjes, ka njoftuar se të premten do të takohet me kreun e LDK-së, për të diskutuar për finalizimin e marrëveshjes për koalicionin e ardhshëm, raporton KTV.

Takimi mes liderëve të dy partive, për KTV-në, është konfirmuar edhe nga Lumir Abdixhiku i LDK-së.

Kurti, ndërkaq, ka thënë se me Mustafën do të diskutohen për të gjitha çështjet e hapura, përfshirë postet ministrore dhe çështjen e presidentit.

Sipas tij, nuk ka kohë të humbet, sepse certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve bëhet javën që vjen.

Kurti ka komentuar edhe deklaratat e LDK-së që posti i kryeministrit baraspeshon me gjashtë apo më shumë ministri, duke thënë se diçka e tillë nuk qëndron pasi siç ka thënë, populli përmes votës e ka zgjedhur atë për kryeministër.

Ai edhe një herë është shprehur i vendosur për ta lënë jashtë Qeverisë Listën Serbe, teksa ka shtuar se edhe ndarja e ministrive është çështje e negociatave.

Këto komente Kurti i ka bërë gjatë një takimi bashkëbisedues me përfaqësues të sindikatave në Kosovë, ku u tha se është i nevojshëm themelimi i Gjykatës së Punës për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve.

Sidoqoftë, në javën e parë të nëntorit, grupet punuese të të dyja partive, Vetëvendosje dhe LDK, zhvilluan takimin e fundit.

Pas takimit, u tha se puna e grupeve punuese ka përfunduar, dhe se u mbetet liderëve të partive të tyre që të konkretizojnë e finalizojnë marrëveshjen bashkëqeverisëse.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme