Uglanin e njofton Kurtin me kërkesën e Sanxhakut për status special

Uglanin e njofton Kurtin me kërkesën e Sanxhakut për status special

21 November 2019 18:51

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është takuar me kryetarin e Partisë së Aksionit Demokratik të Sanxhakut, Sylejman Uglanin.

Sipas një njoftimi për media nga Lëvizja Vetëvendosje, Uglanin e uroi Kurtin për zgjedhjet demokratike dhe fitoren e Vetëvendosjes, si dhe shprehu dëshirën për formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re. Ai tutje ka njoftuar Kurtin për kërkesën e Sanxhakut për status special.

“Në këtë takim miqësor, Uglanin e uroi kryetarin Kurti për zgjedhjet demokratike dhe fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai shprehu dëshirën e tij që institucionet, qeveria e re të formohet sa më shpejtë në mënyrë që edhe ndryshimi për të cilin kanë votuar qytetarët e Republikës së Kosovës të vihet në jetë sa më parë”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se Kurti e njoftoi atë me situatën politike në Kosovë, në prag të formimit të institucioneve të reja si dhe me prioritetet e qeverisë së re.

“Punësimi dhe drejtësia për të gjithë dhe pa dallime janë dy synimet kryesore që i lidhin njerëzit dhe e përparojnë vendin, tha kryetari Kurti. Ugljanin e njoftoi kryetarin Kurti për kërkesën për status special për Sanxhakun. Mes tjerash, në këtë takim u diskutua edhe për gjendjen në Sanxhak, për pozitën e shqiptarëve dhe boshnjakëve atje, si dhe për aspiratat e tyre për punë e zhvillim drejt një jete të dinjitetshme e pa diskriminim nga Beogradi. Kryetari Kurti dhe Uglanin u pajtuan që dëbimi dhe krimet ndaj komuniteteve joserbe në Sanxhak duhet të grumbullohen e të paraqitën botërisht në mënyrë që Serbia të ballafaqohet me të kaluarën por edhe të detyrohet ta ndalë diskriminimin”, thuhet tutje në njoftim.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme