Arbëri

Qeveria i pranon shpenzimet, por thotë se s’është përgjegjëse për çmimet e biletave, hoteleve e mëditjet

Zyra e kryeministrit ka reaguar pas shkrimeve të gazetës Koha Ditore lidhur me shpenzimet që kishin bërë anëtarët e kabinetit të kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj.

Duke i pranuar shpenzimet, kjo zyrë ka deklaruar se nuk është përgjegjëse për caktimin e çmimit të biletave, hoteleve apo mëditjeve.

Në reagimin e së enjtes, Zyra e Kryeministrit ka thënë se “këto shpenzime, të përgatitura nga Zyra për Buxhet dhe Financa e Zyrës së Kryeministrit, në shumicën e kategorizimeve janë të përgjithësuara dhe nuk korrespondojnë me shpenzimet e kryeministrit dhe shpenzimet individuale të stafit politik”.

“Gjithsesi, për ta sqaruar këtë valë të re të shkrimeve, ju informojmë se Kompania për blerjen e avio-biletave është përzgjedhur, sipas procedurave ligjore nga Autoriteti Qendror i Prokurimit. Kësisoj, çmimet e biletave të ofruara nga kjo kompani, për kryeministrin dhe stafin përcjellës në udhëtimet jashtë vendit, janë të përcaktuara nga tregu, respektivisht nga operatori ekonomik, i kontratuar nga AQP dhe Kabineti i Kryeministrit nuk i përcakton çmimet e avio-biletave dhe as nuk e ka përcaktuar operatorin ekonomik për shitjen e këtyre biletave”, thuhet në reagim.

Në reagim po ashtu thuhet se mëditjet janë kategori e përcaktuar me ligjet e Kosovës dhe se hotelet ku ka qëndruar delegacioni shtetëror, kryesisht janë propozime të ambasadave të Kosovës.

“Te shpenzimet në kategorinë e “drekave”, rreth gjysma e shumës së cekur në raportin e Zyrës për Buxhet dhe Financa i takon shërbimeve të bufes dhe përzgjedhjen e kompanisë operuese e ka bërë MAP, me procedurat dhe përgjegjësitë e tyre të punës. Shuma e mëditjeve të listuara në raport dhe të përfolura në mediume, janë kategori e përcaktuar me ligjet e Kosovës dhe i takojnë secilit zyrtar publik përfshirë edhe ata politikë në udhëtimet jashtë vendit. Hotelet ku delegacioni shtetëror ka qëndruar, kryesisht janë propozime të Ambasadave të Kosovës në vendet të cilat kanë ndodhur vizitat dhe është kryesisht përzgjedhje mbi bazën e marrëveshjes së Ambasadave dhe Hoteleve për ofrimin e çmimit më të favorshëm për qëndrim”, thuhet më tej në reagim.

Zyra e Kryeministrit tutje ka thënë se Zyra për Buxhet dhe Financa është përpiluese e dokumentit ku shfaqen shpenzimet e kabinetit, “dokumentit në fjalë që gazeta Koha është duke e publikuar, me gjithë gabimet dhe lëshimet në llogaritjet dhe kategorizim”.

Ky është reagimi i plotë i Zyrës së Kryeministrit:

Sqarim për opinionin

Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka përcjellë me vëmendje shkrimet e mediumit Koha rreth shpenzimeve të stafit politik dhe Kryeministrit Ramush Haradinaj, të cilat janë pasqyruar ndaras në disa lajme.

Këto shpenzime, të përgatitura nga Zyra për Buxhet dhe Financa e Zyrës së Kryeministrit, siç e kemi sqaruar edhe në reagimin e djeshëm, në shumicën e kategorizimeve janë të përgjithësuara dhe nuk korrespondojnë me shpenzimet e kryeministrit dhe shpenzimet individuale të stafit politik.

Gjithsesi, për ta sqaruar këtë valë të re të shkrimeve, ju informojmë se Kompania për blerjen e avio-biletave është përzgjedhur, sipas procedurave ligjore nga Autoriteti Qendror i Prokurimit. Kësisoj, çmimet e biletave të ofruara nga kjo kompani, për kryeministrin dhe stafin përcjellës në udhëtimet jashtë vendit, janë të përcaktuara nga tregu, respektivisht nga operatori ekonomik, i kontratuar nga AQP dhe Kabineti i Kryeministrit nuk i përcakton çmimet e avio-biletave dhe as nuk e ka përcaktuar operatorin ekonomik për shitjen e këtyre biletave.

Agjenda e Kryeministrit në përfaqësim dhe bashkëpunim ndërkombëtar është në përputhje me obligimet kushtetuese që kryeministri Haradinaj ka pasur, përfshirë stafin politik të tij.

Te shpenzimet në kategorinë e “drekave”, rreth gjysma e shumës së cekur në raportin e Zyrës për Buxhet dhe Financa i takon shërbimeve të bufes dhe përzgjedhjen e kompanisë operuese e ka bërë MAP, me procedurat dhe përgjegjësitë e tyre të punës.

Shuma e mëditjeve të listuara në raport dhe të përfolura në mediume, janë kategori e përcaktuar me ligjet e Kosovës dhe i takojnë secilit zyrtar publik përfshirë edhe ata politikë në udhëtimet jashtë vendit.

Hotelet ku delegacioni shtetëror ka qëndruar, kryesisht janë propozime të Ambasadave të Kosovës në vendet të cilat kanë ndodhur vizitat dhe është kryesisht përzgjedhje mbi bazën e marrëveshjes së Ambasadave dhe Hoteleve për ofrimin e çmimit më të favorshëm për qëndrim.

Zyra e Kryeministrit, respektivisht Zyra për Buxhet dhe Financa është përpiluese e dokumentit në fjalë që gazeta Koha është duke e publikuar, me gjithë gabimet dhe lëshimet në llogaritjet dhe kategorizim. Publikimi i shpenzimeve dhe njoftimi i opinionit për shpenzimet e parave publike është e drejtë e mediave, por kërkojmë që në këto raportime të zbërthehen shpenzimet, si dhe të përfshihen detyrat dhe përgjegjësitë e stafit politik në zbatimin e agjendës shtetërore, si obligim kushtetues.

Interpretimi i shpenzimeve ligjore në kontekst keqpërdorimi, apostrofimi i emrave të përveçëm dhe etiketimi i tyre si shpërdorues, përbën tendencë për sensacion dhe tituj negativ dhe jo informim të drejtë të publikut, për rolin dhe përgjegjësitë që Kryeministri dhe vartësit e tij politikë kanë pasur në zbatimin e agjendës shtetërore.

Zyra e Kryeministrit dhe as stafi politik, nuk kanë përgjegjësi dhe nuk janë vendimmarrës për çmimet e avio-biletave, përzgjedhjen e hoteleve dhe për shumën e mëditjeve.

Këto aspekte janë të paracaktuara me kushtet e operatorëve, kontratat që i lidhë shteti me këto operatorë dhe rregulloreve të Qeverisë.

Vet fakti i deklarimeve të të dhënave tabelare të shpenzimeve, përfshirë edhe dhënien e faturave, tregon për nivelin e lartë të transparencës, gjë të cilën kjo Qeveri e ka dëshmuar edhe me publikimin e kontratës së Contour Global dhe respektimin e çdo kërkese të ligjshme për qasjen në dokumente zyrtare që janë bërë nga mediat dhe shoqëria civile.

Lexo edhe: 

Luksi i këshilltarëve të Haradinajt

Harxhimet e Haradinajt me 41 anëtarët e kabinetit të tij

Avni Arifi, shpenzuesi më i madh në kabinetin e Haradinajt

Mbi 12 mijë euro, kabinetit të Haradinajt i kanë shkuar veç në telefonata

Sa i kushtuan Haradinajt e kabinetit të tij aviobiletat