Arbëri

Matoshi kërkon që Kosova të ketë qasje në fondet globale të mjedisit, për të luftuar ndotjen e ajrit

Descriptive Text

Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, me ftesë të ministrit të mjedisit të Maqedonisë Veriore, Naser Nuredini, dhe Bankës Botërore, po merr pjesë në konferencën rajonale, që për temë ka ndotjen e ajrit dhe gjetjen e zgjidhjeve më të mira në reduktimin e ndotjes, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Para të pranishmëve të kësaj konference, Matoshi ka prezantuar sfidat e shtetit të Kosovës dhe veprimet që shteti ynë po ndërmerr në reduktimin e ndotjes së ajrit.

Matoshi ka deklaruar se Republika e Kosovës ka marrë disa vendime në reduktimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje, ka filluar po ashtu fazën testuese për kontrollimin e gazrave që lirojnë veturat dhe po ashtu ka filluar me projektin për ndërrimin e filtrave të TC “Kosova B”, të financuar nga Bashkimi Evropian si dhe projektet e zgjerimit të rrjetit të koogjenerimit, në mënyrë që qytetarët të mos kenë nevojë të përdorin thëngjillin për ngrohje.

“Përveç veprimeve që kemi ndërmarrë e po ndërmarrin në reduktimin e ndotjes së ajrit, fokus të veçantë jemi duke i dhënë dhe informimit të drejtë të publikut mbi cilësinë e ajrit. Kështu falë përkrahjes së Bashkimit Evropian kemi instaluar softuerin për paraqitjen e të dhënave në kohë reale nga stacionet që kemi në Kosovë, po ashtu kemi bërë dhe vendosjen e monitorëve në Kryeqytet ku qytetaret mund të informohen rreth ndotjes së ajrit dhe njëkohësisht edhe për pasojat e ndotjes së ajrit në shëndet”, ka deklaruar Matoshi.

Edhe në këtë konferencë, sikur në konferenca tjera rajonale e globale, Matoshi ka kërkuar që Kosova të këtë qasje në fondet globale të mjedisit, duke vlerësuar se ndotja e ajrit nuk njeh kufij dhe kështu sipas tij duhet që të jemi të bashkuar në krijimin e një mjedisi të pastër.

Në fund ai ka falënderuar donatorët ndërkombëtar për përkrahjen që po i japin Kosovës në përmirësimin e cilësisë së ajrit, në mesin e tyre, MCC-në, JICA-në, Bashkimin Evropian, Bankën Botërore, UNDP, etj.

Konferenca do të vazhdojë të trajtojë aspekte të veçanta të ndotjes së ajrit, përmes prezantimeve të studimeve që janë bërë nga ekspertët e pranishëm.