Arbëri

Taksa, plot efekte pozitive e negative

Sot është bërë fiks një vit nga vendosja e taksës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

Përfaqësues të bizneseve dhe afaristë në Kosovë, thonë se taksa ka pasur efekte si pozitive ashtu edhe negative. Vetëm gjatë kësaj periudhe, Kosova ka arritur që në tregun e saj të ketë produkte në vlerë deri në rreth 100 milionë euro, përderisa çmimet kanë shënuar rritje në rreth 3 për qind.

Në një vjetorin e vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe atyre nga Bosnje e Hercegovina, efekti ekonomik nga përfaqësuesit e biznesit shihet me ndikime pozitive por edhe negative. Olivera Ceni-Bardiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha për Radio Kosovën se taksa ka ndikuar që prodhuesit kosovarë të rrisin kapacitet prodhuese, përderisa nga ana tjetër, është shënuar edhe ngritje e çmimeve.

“Efektet negative janë manifestuar me rritje të çmimeve për shkak të rritjes së çmimeve të lëndës së parë dhe kostos të transportit, për shkak se ne kemi ndryshuar partnerët tregtarë. Efektet pozitive, janë manifestuar me rritje të shitjes së produkteve vendore, rritjes së prodhimit në vend, rritjes së lehtë në punësim, rritje të kapaciteteve të prodhuese e të tjera”, tha ajo.

E përfaqësuesi i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë për Radio Kosovën se vetëm gjatë kësaj periudhe, Kosova ka arritur mbi 100 milionë euro të ketë produkte vendore më shumë në treg, por që ka shënuar rritje të çmimeve rreth 3 për qind.

“Humbjet më të mëdha i ka Serbia dhe bizneset e saj të cilat janë ankuar. Kosova gjatë kësaj periudhe ka arritur që rreth 100 milionë euro produkte t’i ketë në tregun e saj, dhe po ashtu të eksportojë disa produkte që më parë nuk kanë qenë në treg. Pra, efekti është pozitiv”.

Ndërsa, përfaqësuesi i Bankës Botërore, Marko Mantonavelli, në një deklaratë për RTK-në, tha se vendimet politike gjithmonë kanë pasoja ekonomike dhe në një periudhë afatgjatë, duhet të mendohen ato.

“E kur vendosën ato natyrisht që ka devijime, një ndër to është devijimi i tregtisë, tregtia që ka ardhur nga Serbia, tash vjen nga Maqedonia, Shqipëria. Mund të ketë pasoja edhe në rritje të çmimeve. Kemi pa një rritje të inflacionit e cila është 2.7 për qind dhe komponenti që është duke e shtyrë këtë rritje, është ushqimi. Pra janë disa pasoja”.

Kosova fillimisht kishte vendosur taksën doganore 10 për qind, e cila u rrit në 100 për qind vjet më 21 nëntor. Që nga ajo periudhë, sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, importet nga Serbia kanë rënë dukshëm.

Të dhënat nga Dogana, theksojnë se vetëm gjatë kësaj periudhe, vlera e produkteve nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina që janë importuar në Kosovë, është gjashtë milionë euro.