Arbëri

Hungaria tregon përvojën e saj të integrimit evropian para palës kosovare

Hungaria për 15 vjet është anëtare e Bashkimit Evropian. E këtë eksperiencë, Ambasada e Hungarisë në bashkëpunim me Institutin për punë të jashtme dhe Tregti, vendosën ta ndajnë me përfaqësues të institucioneve në Kosovë.

Sipas ambasadorit të Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, Kosova duhet të jetë e përgatitur në shumë aspekte për integrim në BE, raporton KTV.

“Zakonisht, kur flas me shoqërinë këtu në Kosovë për integrimin evropian, i paralajmëroj ata që është e rëndësishme të jenë shumë të përgatitur ekonomikisht për të qenë anëtar i BE-së. Miq, merreni parasysh këtë këshillë dhe mos mendoni se kjo mund të jetë e mbitheksuar, sepse Kosova ende ka nevojë për strategji për investitorë të huaj që do të ndikojnë në ngritjen e industrisë dhe punësimit, që të rrisë eksportin dhe të arrijë stabilitet ekonomik”, ka thënë Markusz.

Ndërkaq, që nga koha kur Hungaria është anëtare e BE-së, Komisionari i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë në Hungari, Szaboles Takacs, tha se shteti i tij ka pasur shumë suksese.

“Nëse shohim pas përgjatë këtyre 15 vjetëve të Hungarisë, mund të jemi të kënaqur. Mund të them mbi të gjitha se Hungaria është bërë më e fuqishme, më e suksesshme ekonomikisht, por natyrisht në BE duhet të luftosh për interesat e tua”, tha Takacs.

Takacs shtoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është më se i nevojshëm, e ky zgjerim, sipas tij, do të ndodhë në vitet në vazhdim. Prandaj, Kosova duhet të synojë të jetë pjesë e saj.

Në anën tjetër, nga ekspertët hungarezë shihet si i nevojshëm stabiliteti ekonomik që duhet të fillojë nga brenda shtetit.

“Fillimisht, duhet të bëni disa analiza strukturore të përparësive tuaja dhe problemeve potenciale në sektorët që, për shembull, tani janë duke funksionuar si duhet në vendin tuaj, por që brenda tregut të përbashkët, me gjithë konkurrencën me 27 shtete, ndoshta, nuk do të mund të jetë i qëndrueshëm. Natyrisht, duhet të shikoni për konkurrencën e sektorëve lokalë tuaj, sepse pa ndërmarrës nuk jeni të fortë”, ka thënë Sandor Hyula Nagy, Zëvendësdrejtor për hulumtime në Institutit për Punë të Jashtme e Tregti.

Që nga anëtarësimi në BE, Hungaria ka përfituar shumë në agrikulturë, e kjo shihet si ndihmesë që mund t’u kontribuojë të gjitha shteteve që anëtarësohen.

“Bashkimi Evropian është mundësi shumë e mirë për fermerët që duan të investojnë dhe zhvillojnë agrikulturën. Unë propozoj që ato vende që kanë mundësinë t'i bashkohen BE-së, kanë përparësi të shumta për fermerët”, tha Gyorgy Rasko, agro-ekonomist.

Mirëpo, para së gjithash, Kosova duhet të anëtarësohet. E, nga hungarezët duket të ketë mbështetjen e duhur. Oszkar Fuzes, i cili ishte edhe gazetar gjatë luftës, thotë se Kosova duhet të ketë njerëz në të gjitha vendet duke krijuar aleatë e miq që ta ndihmojnë në integrim e të vendosin kushte që çojnë në futjen e saj në BE.

Në Kosovë po mbahet java kulturore hungareze, e cila po manifestohet me aktivitete të ndryshme që kanë për qëllim këmbimin e përvojave evropiane me Kosovën.