Kurti: Prioritet do të kem edukimin e hershëm, në Kosovë ka papunësi e çdo i 10-i fëmijë punon Foto: Koha

Kurti: Prioritet do të kem edukimin e hershëm, në Kosovë ka papunësi e çdo i 10-i fëmijë punon

20 November 2019 11:53

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kujton se sot janë mbushur 60 vjet nga Deklarata për të Drejtat e Fëmijëve e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe 30 vjet nga Koventa për të Drejtat e Fëmijëve.

“Neni 6, pika 2, i kësaj të fundit, thotë: "Shtetet Palë, marrin të gjitha masat e mundshme për të siguruar mbijetesën dhe zhvillimin e fëmijës". Këtë detyrim duhet ta respektojë edhe Kosova. Fëmijës i duhet strehimi, kujdesi nga familja, shteti dhe komuniteti. Asnjë fëmijë nuk e meriton të mbetet pa kulm mbi kokë, e pa arsimim cilësor. Shteti duhet t'ia garantoj zhvillimin, mirëqenien dhe edukimin”, shkruan Kurti.

Lexo edhe: KOMF kërkon mobilizim për zbatim të Ligjit për Mbrojtje të Fëmijëve

Kurti thotë se as 5% e fëmijëve të moshës nën 5 vjeç në Kosovë nuk janë të përfshirë në edukimin parashkollor.

“Edukimi i fëmijëve është e drejtë Kushtetuese. Çerdhet nuk janë luks por nevojë. Ato janë e drejtë e garantuar për të gjithë fëmijët, pa dallim gjinie, etnie, prejardhjeje apo besimi fetar. Prioritet i qeverisjes së re do të jetë edukimi i hershëm. Sa më shumë ngritje të cilësisë nëpër çerdhe e shkolla aq më pak fëmijë në rrugët e qytetit që punojnë për mbijetesë ose kërkojnë lëmoshë. Kemi aq shumë papunësi në Kosovë ndërkaq çdo i dhjeti fëmijë punon!”, shkruan tutje Kurti.

Lexo edhe: Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve

“Sot, më 20 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, dhe në çdo ditë tjetër që vjen, le të angazhohemi të gjithë së bashku që vizioni i shtetit tonë demokratik e social, të drejtë e zhvillimor, të realizohet nën buzëqeshjen e të gjithë fëmijëve të Kosovës”, përfundon Kurti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme